Në ditën kur kompania furnizuese me energji elektrike KESCO ka dorëzuar kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për vitin 2026, me 21.3 për qind, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për shpenzimet e energjisë dhe nevojën për menaxhim më të mirë të ngrohjes nëpër familje.
Duke komentuar rritjen e konsumit të energjisë, Kurti ka theksuar se temperaturat në shumë shtëpi dhe ambiente janë dukshëm më të larta sesa niveli i zakonshëm, gjë që sipas tij ndikon drejtpërdrejt në rritjen e shpenzimeve për energji elektrike.
“Temperaturat nëpër dhoma i kemi dukshëm më të nalta sesa është normale, kena qef nxehtë. Sa i përket konsumit neve na duhet me menaxhu ngrohjen”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se kërkesa për energji elektrike pritet të rritet edhe si pasojë e zhvillimit ekonomik, duke theksuar se rritja ekonomike sjell edhe nevojë më të madhe për energji.
“Sa i përket rritjes ekonomike, kjo ka me kërku energji”, ka shtuar kryeministri në detyrë.
Deklaratat e Kurtit vijnë në një kohë kur qytetarët janë të shqetësuar për koston e jetesës dhe çmimin e energjisë elektrike, ndërsa kërkesa e KESCO-s për rritje prej 21.3 për qind pritet të shqyrtohet nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Autoritetet kanë bërë të ditur se vendimi përfundimtar për tarifat e reja të energjisë do të merret pas analizave dhe konsultimeve publike, ndërkohë që institucionet po bëjnë thirrje për kursim dhe përdorim racional të energjisë elektrike.