Kurti: Ndihmat sociale do të dalin të martën për dy muaj

Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar se të martën do të transferohen ndihmat sociale, 10 ditë para kohe dhe atë për dy muajt në vijim. Por e mirë  e kësaj sipas tij, është se pagesa e muajit të dytë nuk do të hyjë në përllogaritjet e muajve në vijim që do të thotë u falet përfituesve.

 “Familjeve që marrin ndihma sociale, të martën do t’ua transferojmë ndihmat sociale 10 ditë para kohe dhe atë për dy muaj në vijim. Me këtë pagesa e muajit të dytë nuk do të hyjë në përllogaritjet e muajve në vijim që do të thotë u falet përfituesve”, tha ai.

“Zinxhiri furnizues në Kosovë është duke funksionuar mirë. Dogana është duke e vijuar punën si zakonisht. Maunet janë vazhdimisht duke hyrë në Kosovë dhe duke kryer procedurat e rregullta të zhdoganimit, natyrisht pas kontrolleve mjekësore. Madje rritja e importeve në ditët e fundit, garanton që nuk do të ketë mungesë, as të artikujve ushqimorë e as atyre të higjienës apo farmaceutikë”, tha Kurti.

Sipas tij, marketet, furrat dhe barnatoret janë duke punuar për furnizimin e qytetarëve, derisa disa veprimtari të tjera të bizneseve janë të mbyllura.

“Sistemi bankar gjithashtu është duke funksionuar mirë, kryesisht i fokusuar në realizimin e pagesave dhe mirëmbajtjen e rrjedhës së parasë së gatshme. Mbetet rekomandimi për shfrytëzimin sa më të madh të pagesave elektronike, kartelave bankare dhe bankomatëve, përderisa duhet t’iu shmangemi sporteleve bankare dhe radhëve para tyre. Furnizimi me energji elektrike, e me ujë të pijshëm, mbledhja e mbeturinave është duke funksionuar normalisht falë punonjësve të këtyre shërbimeve. Edhe shërbimet si telefonia e interneti apo mediumet informative vazhdojnë punën për të mundësuar normalitet. Bizneset prodhuese private gjithashtu po e vazhdojnë prodhimin e mallrave esenciale”, tha kryeministri Albin Kurti në një video të publikuar në profilin e tij, në rrejtin social Facebook.

Sipas tij, edhe pse kohë emergjence nga koronavirusi ekonomia e Kosovës po vazhdon.