Kurti: Nuk kemi nevojë të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme për koronavirus

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se si Qeveri e re janë  shembull në rajon për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Këtë deklaratë ai e bërë sonte gjatë konferencës së jashtëzakonshme.

“Kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi një disiplinë shoqërore e qytetare e cila ka bërë që sot në Kosovë të kemi jo më shumë se 20 persona, nga të cilët vetëm i moshuari 77 vjeçar ka maskë oksigjeni. Dy prej tyre janë liruar dje në shtëpi për trajtim shtëpiak në vetizolim. U jam mirënjohës e falënderuese mjekëve, policëve, farmacistëve, punëtorëve në markete, shpërndarësve të barnave, etj”, ka thënë Kurti, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, Republika e Kosovës i ka rreth 130 respiratorë, dhe për fat të mirë nuk ka ndonjë rast të rëndë që ndonjëri nga këta respiratorë të funksionojë.

Kryeministri foli edhe për kërkesën e presidentit Hashim Thaçi për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.

“Situata është nën kontroll dhe e menaxhueshme. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë u propozua që të kemi shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme. Kjo kërkesë për mua ishte e paarsyeshme, e palogjikshme, e panevojshme. Kishim insistim të parapërgatitur nga presidenti që me çdo kusht të shkohet me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Jemi në pritje të përgjigjes së Kuvendit për këtë kërkesë të presidentit për gjendje të jashtëzakonshme. Unë jam i bindur që nuk ka nevojë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme”, tha Kurti.

Ndryshe, deri më tani në Kosovë janë 20 raste të konfirmuara me koronavirus. /Telegrafi/