Kurti: Planifikojmë eliminimin e notave për klasët fillore të ulëta

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka treguar planprogramin e tij për arsim, nëse do të jetë në krye të Qeverisë, ai ka thënë se planifikojnë të eliminojnë notat për klasët fillore të ulëta.

Kurti këtë e bëri të ditur gjatë një bashkëbisedimi virtual me Fernando M. Reimers, profesor në Universitetin e Harvardit, transmeton Klan Kosova.

“Diskutuam gjatë mbi sfidat e arsimit dhe politikat që i planifikojmë për mandatin e ardhshëm, duke filluar nga shujtat falas për të gjithë fëmijët, eliminimi i notave për klasët fillore të ulëta, kurrikulat e reja dhe edukimi dual që ndërlidh aftësimin profesional me tregun e punës”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

“Në takim, Reimers theksoi rëndësinë e reformave të njëkohshme në tri sfera të jetës publike: sundimi i ligjit, ekonomia dhe arsimi. Këto të trija, kur funksionojnë siç duhet e të bashkërenduara, përbëjnë potencialin më të madh të zhvillimit në Kosovë”.

“E dimë se shumica e klasëve në shkolla janë të mbingarkuara, dhe një reformë që propozoi profesori Reimers e që ka funksionuar për shtetet e ngjashme është angazhimi i asistentëve për mësimdhënësit e të gjitha niveleve. Lëvizja Vetëvendosje planifikon të nxit studentët më të mirë të nivelit Master të angazhohen në mësimdhënie, dhe të ofrojë përgatitje profesionale të vazhdueshme në nivel kombëtar për të gjithë”.