Kurti takon Walkerin në Washington, pas kritikave që s’e takoi herën e parë

Kryeministri Albin Kurti është takuar me ish-ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, William Walker, në Washington DC.

Kurti tha se Walker duket gati krejt njëjtë si kur janë takuar për herë të parë në Prishtinë para gati 25 vjetësh.

“Duket gati njësoj si para 25 vjetëve kur u takuam për herë të parë në Prishtinë. Thua se është ndalur koha e tij për këtë dëshmitar të kohës sonë. Ishte kënaqësi ta takoj ambasadorin William Walker në Washington DC, të evokojmë kujtimet, të diskutojmë për të tashmen, të ndajmë shpresat dhe shqetësimet për të ardhmen. Diplomatët e së vërtetës për krimet e kryera gjatë luftës janë miq të popujve dhe armiq të diktatorëve”, ka shkruar ai në Facebook, njofton Klankosova.tv.

Ish-ambasadori Walker ditë më parë, në një intervistë dhënë për “Albanian Post”, kishte thënë se ishte zhgënjyer kur kryeministri kosovar nuk e kishte kontaktuar fare gjatë vizitës së tij të gjatë në ShBA para disa javësh.

Ai ishte shprehur i zhgënjyer edhe për faktin se Qeverisë Kurti i është dashur më shumë se një vit që të shkojë në Washington për vizitë.