Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk pranoi të tregojë hollësi nga bisedimet me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj të shtunën në një restorant në lagjen Pejton në Prishtinë.
Me Limajn, ai tha se kanë diskutuar “për zhvillimet politike në Kosovë”.
Kurti tha se i ka bërë një ofertë Limajt, por për të tha se mund të flasë vetëm nëse bisedimet mbyllen me “rezultatin final”.
“Lëvizja Vetëvendosje, unë si kryeministër në detyrë, si kryetar i subjektit fitues të zgjedhjeve, kemi shprehur tashmë jo vetëm interesimin por edhe gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhje me këtë, unë kam bërë pak a shumë edhe një ofertë konkrete për Nismën Socialdemokrate, në mënyrë që gjithçka të përmbyllet sa më shpejt e sa më mirë dhe ta kemi konstituimin e Kuvendit e gjithashtu edhe qeverinë e re. Mirëpo kur këto bisedime të përmbyllen me rezultatin final, atëherë do të mund të flasim për hollësitë e përmbajtes së saj”, tha ai në një konferencë për media.
Ai përsëriti edhe një herë më pas se për hollësitë “mund të flasim vetëm atëherë kur bisedimet të jenë finalizuar me atë marrëveshje”.
Prej muajsh, Kurti dhe Limaj po qëndrojnë në kontakt. Disa herë janë takuar, me negociatat që nuk kanë dhënë ende rezultat.
Kurti është përballur me dy kërkesa konkrete nga Limaj: pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe një “paketë ligjore”, në të cilën përfshihet edhe ulja e pragut zgjedhor nga 5 në 2%.