Kurti viziton dy xhami në Prishtinë, uron besimtarët për Ramazan

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Myftiu Naim Tërnava, në prag të fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, vizitoi xhaminë Pirinaz, një ndër xhamitë më të vjetra të Prishtinës, dhe xhaminë Alaudin, për të parë nga afër punën që është bërë pas renovimit të tyre.

E vjetër diku katër shekuj e gjysmë, Xhamia Pirinaz, siç tha kryeministri, paraqet një pikë turistike jo vetëm për ata që jetojnë këtu, por në veçanti për ata që vijnë ta vizitojnë vendin tonë.

Me këtë rast, kryeministri Kurti ka falënderuar Myftiun Naim Tërnava për mikpritjen dhe shoqërimin që i bëri për të parë punimet, të cilat janë bërë me një profesionalizëm të jashtëzakonshëm dhe që e mahnit njeriun kur e viziton brenda.

“Është vlerë e lartë kulturore, por edhe historike, meqenëse mësuam se pikërisht këtu Medresenë e ka përfunduar Hoxhë Kadri Prishtina dhe në këtë mënyrë paraqet edhe një rrëfim të rëndësishëm për historinë e kryeqytetit e të popullit tonë mbarë”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti vizitoi edhe xhaminë Alaudin, e cila gjithashtu është restauruar së fundmi.

“Kjo vizitë është në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, dhe në këtë Natë të Madhe, kur të gjithë përgatiten për agjërimin, i cili na bënë t’i përkushtohemi anës shpirtërore dhe na fisnikëron, të kemi mundësinë që të vijmë për një vizitë të këtillë shumë dashamirës dhe domethënëse. Andaj, Zoti ua bëftë kabull dhe ju dëshiroj agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve në këtë muaj të shenjtë, i cili fillon me ditën e nesërme”, tha kryeministri Kurti.  

Në përfundim të vizitave, kryeministri Kurti dhe ministri Çeku u mirëpritën nga Myftiu Tërnava në zyrën e tij në selinë qendrore të Bashkësisë Islame të Kosovës për një bashkëbisedim.

Deklarimi i kryeministrit Kurti pas vizitës në xhaminë Pirinaz:

Jemi këtu tek xhamia e restauruar Pirinaz në lagjen “Dodona” apo “Vellusha” të Prishtinës, bashkë me Myftiun Naim Tërnavën, për të parë renovimin i cili ka rezultuar me një xhevahir në kryeqytet. Meqenëse është tejet i bukur, diku së paku katër shekuj e gjysmë i moçëm dhe paraqet një pikë turistike edhe për njerëzit brenda vendit, por sidomos për ata të cilët vijnë ta vizitojnë vendin tonë.

Me këtë rast e falënderoj Myftin Naim Tërnavën, i cili na mirëpriti dhe njëkohësisht na shoqëroi për të parë renovimin, për të parë punimet, të cilat janë bërë me një profesionalizëm të jashtëzakonshëm dhe që e mahnit njeriun kur ta viziton brenda.

Është vlerë e lartë kulturore, por edhe historike, meqenëse mësuam se pikërisht këtu Medresenë e ka përfunduar Hoxhë Kadri Prishtina, dhe në këtë mënyrë paraqet edhe një rrëfim të rëndësishëm për historinë e kryeqytetit e të popullit tonë mbarë.

Faleminderit shumë Myfti Naim.  

Deklarimi i kryeministrit Kurti pas vizitës në xhaminë Alaudin:

Përveç xhamisë së restauruar në “Vellushë”, në lagjen “ Dodona”, Pir Nazir, e cila ndodhet tek rruga “ Ismail Dumoshi” dhe që është pikë turistike për ta vizituar edhe ne që jemi nga Kosova dhe shqiptarët mbarë, por edhe të huajt, gjithashtu vizituam edhe restaurimin e xhamisë Alaudin, me ç’rast patëm nderin dhe kënaqësinë që me një mikpritje të përzemërt dhe me një shoqërim në këtë xhami, gjithashtu te renovuar, na shoqëroi i zoti i shtëpisë dhe Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, mua dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Gjithashtu, kjo vizitë është në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, dhe në këtë Natë të Madhe, kur të gjithë përgatiten për agjërimin, i cili na bënë t’i përkushtohemi anës shpirtërore dhe na fisnikëron, të kemi mundësinë që të vijmë për një vizitë të këtillë shumë dashamirës dhe domethënëse. 
Andaj, Zoti ua bëftë kabull dhe ju dëshiroj agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve në këtë muaj të shenjtë, i cili fillon me ditën e nesërme.