Kushtetuesja: Ligji për Pagën Minimale është duke u shqyrtuar, opozita thotë se 264 euro janë të pamjaftueshme

Më 13 korrik të vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë projektligjin për Pagën Minimale.

Këtij votimi iu gëzua kryeministri i vendit Albin Kurti.

Ai deklaroi që me rritjen e pagës minimale do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë, shkruan Front Online.

Nga 130-170 me ligjin e ri paga minimale është rritur në 264 euro bruto.

Por, ky gëzim i Kurtit u ndërpre në gjysmë.

Kjo, pasi që më 21 korrik, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës këtë ligj e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese.

Që nga ajo kohë ky ligj ka mbetur në Kushtetuese dhe për të kjo e fundit ende nuk ka dhënë verdiktin e saj.

Ani pse më datë 21 të këtij muaji bëhen gjashtë muaj që kur Ligji për Pagën Minimale është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit ende është duke e shqyrtuar këtë ligj.

Kështu ka bërë të ditur për Front Online, zëdhënësi i Kushtetueses, Veton Dula.

Ai ka thënë se në momentin e marrjes së vendimit do të njoftohen të gjitha palët. “Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Sapo të merret vendimi, për këtë do të njoftohen me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, ka deklaruar Dula për Front Online.

Lekaj: Paga minimale duhet të jetë 450 euro, 264 euro është ofendim

Nga partia e cila këtë ligj e ka dërguar në Kushtetuese thonë se që nga fillimi ligji për pagën minimale nuk ka marrë trajtimin e duhur nga Qeveria dhe deputetët e shumicës parlamentare.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj deklaron për Front Online se votimi për pagë minimale prej 264 euro ka qenë shumë gabim.

Derisa, tregon se ata kanë kërkuar që paga minimale të jetë 450 euro. “Në këtë ligj të votuar në Kuvend, ka qenë shumë gabim miratimi i shumës 264 euro. Paga minimale 264 euro është ofendim dhe keqtrajtim ligjor e social i qytetarëve të Kosovës. Kjo erdhi  nga kryeneçësia e Pushtetit ku nuk u përfillën kërkesat e sindikatave të sektorit privat, OJQ-ve, opozitës, ekspertëve dhe shoqërisë civile, që paga minimale të jetë shumë më e lartë se 264 euro. Ne si AAK patëm kërkuar që paga minimale të jetë 450 euro po nuk u morëm parasysh”, është shprehur Lekaj për Front Online.

I pyetur se çfarë do të bëjnë tutje në rast se Kushtetuesja, merr vendim në favor të ligjit, Lekaj, deklaron se do të shikojnë mundësi të tjera që paga minimale të rritet. “Nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të ligjit, do të shikojmë mundësi tjera se si mund të ngrisim pagën minimale”, është shprehur ai.

Sipas tij, paga prej 264 eurove nuk plotëson as nevojat bazike të qytetarëve. “Paga 264 euro nuk plotëson as për së afërmi nevojat bazike të qytetarëve apo të një shporte familjare për 10 ditë të fillimit të muajit. Qytetarët e Kosovës janë duke u ballafaquar me mirëqenie të dobët, ku ju mungon cilësia e ushqimit, banimi jo i sigurt, shëndetësia jo në nivel, papunësia, çmimet e larta të jetesës etj”, ka shtuar deputeti Lekaj.

 Deputeti Shala: Paga minimale prej 264 eurove e pamjaftueshme, institucionet duhet të shqetësohen

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka thënë se si parti kanë ngritur shqetësimin e tyre shumë më herët sa i përket ligjit të pagës minimale.

Ai për Front Online ka deklaruar se nuk pajtohen me pagën minimale prej 264 euro. “Ne kemi ngrit shqetësimet tona shumë më herët pasi që kjo rritje është e pamjaftueshme dhe nuk jemi pajtuar me këtë pagë që e ka propozuar Qeveria, përkundër asaj që jemi në një situatë krejt të re ekonomike, kemi një shkallë të lartë të inflacionit, ne kemi shprehur mospajtimet tona dhe nuk pajtohemi me këtë pagë minimale çfarë sot realisht e kanë qytetarët e vendit”, është shprehur deputeti Shala për Front Online.

Por, pavarësisht kësaj ka deklaruar se janë duke e pritur vendimin e Kushtetueses.

E, në rast se Kushtetuesja merr vendim në favor të ligjit, Shala ka thënë se do të shohin nisma të tjera se si të ngritet paga minimale.

Sipas tij, institucionet e shtetit duhet të shqetësohen për këtë pagë sidomos në këtë kohë kur ka rritje të inflacionit. “Definitivisht 264 euro janë të pamjaftueshme dhe ne po presim vendimin e Gjykatës dhe të shohim hapat tjerë apo nismat tjera ligjore apo parlamentare se si t’i përgjigjemi situatës. Por, definitivisht është një alarm që institucionet e shtetit duhet të shqetësoheshin në këtë kohë sidomos pas situatës së krijuar edhe me faturat e energjisë, paga minimale është jashtë çdo konteksti logjik dhe ekonomik”, ka thënë ai.

Shala thotë se paga minimale duhet të jetë 450 euro. “Në krahasim me rajonin dhe me gjendjen ekonomike të përgjithshme çdo pagë minimale që mbetet nën 450 euro është jashtë kritereve dhe nuk i plotëson standardet e mbulimit të shpenzimeve të ekonomisë familjare”, ka deklaruar ai për Front Online.

Hykolli: Paga minimale ka mbet keq, Këshilli Ekonomik-Social nuk funksionon më

Që ky ligj ani pse është miratuar në Kuvend dhe aktualisht është në Kushtetuese e thonë edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli thotë për Front Online se nuk kanë statistika se sa është numri i punëtorëve në Kosovë të cilët ende paguhen me pagën prej 130-170 euro.

“Ne nuk kemi statistika. BSPK i mbron anëtarët e vet të cilët janë pjesë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës”, ka thënë shkurt ai.

Hykolli ka deklaruar se paga minimale është dashtë të negocionet në fund të vitit që shkoi, por si pasojë e mosfunskionimit të Këshillit Ekonomik-Social, e njëjta ka mbetur ashtu siç është. “Në fakt paga minimale është dashtë më u negociua ën fund të vitit që e lam pas. Këshilli Ekonomik-Social që ka funksionu deri tash, nuk funksionon më, kështu që paga minimale ka mbet shumë keq, për arsye se ajo veç është dashtë me u negociua nga partnerët social edhe ta kemi një pagë minimale tjetër në raport me këtë që është”, ka shtuar Hykolli, për Front Online.

Trusti: Ne kemi të dhëna vetëm për çështje të kontributit pensional, jo të pagave

Nga Trusti Pensional i Kosovës kanë deklaruar për Front Online se nuk posedojnë të dhëna rreth pagave të të punësuarve.

Por, vetëm për çështje të kontributit pensional. “Të dhënat që i marrim ne në Trust nga ATK-ja janë vetëm për çështje të kontributit pensional. Ne nuk marrim informacione të pagave të të punësuarve por vetëm pagesa të kontributeve”, ka thënë për Front Online zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi.

Ai ka treguar se të dhënat e kontribuimit në Trust për vitin 2023 do të bëhen të ditura në fillim të muajit mars të këtij viti.

“Për çështje të nivelit të kontribuimit, ne i nxjerrim të dhënat e kontribuimit minimal në raportet vjetore (nën supozimin e kontribuimit me 10% në Trust – sa është obligimi ligjor) por këto dhëna për vitin 2023 do t’i kemi gati nga fillimi i marsit”, ka shtuar ai.

Front Online ka dërguar pyetje në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) por të njëjtin kanë rekomanduar që t’i referohemi faqes publike dhe nuk kanë dhënë informacione të detajuara lidhur me atë se sa persona marrin ende pagë 170 euro.

Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

Po ashtu, ky ligj ndryshon shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, si dhe procedurën e vendosjes së pagës minimale.

Sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, të publikuar në muajin prill të vitit të kaluar, janë më shumë se 100 mijë punëtorë në Kosovë që marrin pagë minimale.

Mbi 94 për qind e tyre janë të punësuar në sektorin privat. /Front Online/