Sunny Hill Festival

Liberalizimi i rrymës, Kurti: Përmes ALPEX-it, KEK-u ka siguruar energjinë për konsumatorët në tregun e hapur

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Bursa Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) është një ëndërr e kamotshme e realizuar për Kosovën.

Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ALPEX është mekanizmi përmes të cilit tregu energjetik në të dy anët e kufirit bashkohet, e komplementariteti mes kapaciteteve energjetike shfrytëzohet më së miri.

“ALPEX është themeluar më 1 shkurt 2024. Ai është një treg që operon me rregullat më rigoroze e standardet më të larta të Evropës, ku gjithçka është transparente e çdo transaksion lë gjurmë të pashlyeshme. Dje dhe sot, përmes ALPEX-it, KEK ka siguruar energjinë për konsumatorët në tregun e hapur me çmime konkurruese dhe transparente”, ka thënë Kurti.

Tutje ai ka shkruar se: “ALPEX është gjithashtu një hap i rëndësishëm drejt integrimit të tregut të energjisë elektrike të Kosovës në tregun evropian që parashihet të realizohet në vitin 2030”.

Ndërsa, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur sërish për çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë.

Ajo ka ndarë disa të dhëna rreth funksionalizimit të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike – ALPEX, duke e cilësuar si një arritje historike për Kosovën dhe rajonin.

Në një postim Rizvanolli tha se “këtu KEK siguroi energjinë elektrike për ndërmarrjet në treg të lirë, në ditën e parë të liberalizimit të tregut.”