Ligji për çmimet tavan drejt zbatimit: Kusari-Lila paralajmëron mbrojtje për konsumatorët

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se pas miratimit të agjendës legjislative në Qeveria e Kosovës, ka nënshkruar inicimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme për produktet themelore në rast të krizave ekonomike, i njohur si Ligji për çmimet tavan.

Përmes një postimi në Facebook, ministrja theksoi se ky projektligj paraqet një hap të domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e stabilitetit në treg, transmeton Klankosova.tv.

Sipas Kusari-Lilës, projektligji krijon një bazë të qartë ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë në situata kur qytetarët përballen me rritje të papritura të çmimeve, mungesë të produkteve themelore apo çrregullime në zinxhirin e furnizimit.

Ajo theksoi se qëllimi i këtij ligji nuk është ndërhyrja arbitrare në treg, por mbrojtja e qytetarëve nga abuzimet dhe spekulimet në kohë krize. Sipas saj, masat e parashikuara do të jenë të përkohshme, proporcionale dhe të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit ekonomik.

Ministrja shtoi se gjatë hartimit të projektligjit janë adresuar edhe vërejtjet e mëhershme të Gjykata Kushtetuese, me qëllim ndërtimin e një kornize ligjore më të fortë, më të qëndrueshme dhe ligjërisht solide.

“Në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të luajë rolin e garantuesit të balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik”, ka theksuar Kusari-Lila.