Limaj: Kurti kërkoi 2-3 ditë kohë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka dhënë detaje të tjera për takimin e djeshëm tek presidentja Vjosa Osmani.

Ai tha se ka pritur që të premten, e para e shtetit të vendoste për shpërndarjen e parlamentit.

“Unë kam pritur që presidentja menjëherë dje ta përfundojë këtë çështje, ta nxjerrë dekretin për shpërndarje të parlamentit dhe të nesërmen t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme për faktin se s’ka asnjë gjasë të krijohet një shumicë parlamentare”.

I pyetur se pse nuk ndodhi një gjë e tillë, ai theksoi se kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti kërkoi kohë.

“Kryetari i partisë më të madhe, kërkoi 2 deri në 3 ditë kohë”, shtoi Limaj Klankosova.tv.

Presidentja Vjosa Osmani pas takimit të së premtes ka paralajmëruar se do të mbajë kontakte shtesë me liderët partiakë deri më 5 nëntor, kur edhe përfundon afati kushtetues për caktimin e mandatarit apo për shpërbërjen e Kuvendit.

Nëse deri atëherë nuk formohet qeveria, pritet që e para e shtetit t’i shpallë zgjedhjet e reja, të cilat mund të mbahen në fillim të dhjetor.