Sunny Hill Festival

Lindjet me rënie në Kosovë, ekspertët kërkojnë veprim institucional


Në vitet e fundit nataliteti ka shënuar rënie në Kosovë. Faktorët ekonomikë, migrimi i popullsisë, karriera si dhe ndryshimi i stilit të jetesës, konsiderohen të jenë ndër arsyet që prindërit të lindin më pak apo të mos lindin fare fëmijë. Profesoresha universitare Mimoza Dushi, demografe, nuk e sheh shumë shqetësuese këtë rënie, ndërsa profesori Besim Gallopeni thotë se në Kosovë mungojnë politikat pro-nataliste.

Gjatë vitit 2024 në Kosovë, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave, janë regjistruar gjithsej 21 mijë e 487 lindje, ndërsa 10 mijë e 230 lindje janë regjistruar jashtë vendit. Krahasuar me vitet paraprake, ka pasur rënie të natalitetit. ASK-ja në një përgjigje për Radio Kosovën ka thënë se në vitin 2023 janë regjistruar 21 mijë e 654 lindje, në vitin 2022, 22 mijë e 632, në vitin 2021, 22 mijë e 830 dhe në vitin 2020 janë regjistruar 21 mijë e 907.

Profesoresha e Demografisë në Universitetin e Prishtinës, Mimoza Dushi, tha për Radio Kosovën se është fakt që shkalla e natalitetit ka filluar të bjerë, mirëpo këtë nuk e sheh shqetësuese, për faktin se rënia e natalitetit është trend botëror. Dushi theksoi se si shoqëri në tranzicion, ka filluar të ndryshojë edhe stili i jetesës në Kosovë.

“Ne jemi vend në zhvillim, që do të thotë se jemi në tranzicion. Në tranzicion ndryshojnë të gjithë komponentët demografikë, lindjet, vdekjet, ka lëvizje të popullsisë dhe shoqëria gjithmonë ndryshon evoluon nën ndikimin e faktorëve ekonomikë. Ka ndryshuar pozita e femrës në shoqëri, ndryshon statusi shoqëror i mashkullit, i femrës, madhësia e familjes, prandaj ndryshon kërkesa për numrin e pasardhësve. Sot e kemi femrën në nivele më të larta të shkollimit, e kemi të punësuar, është shndërruar në faktor ekonomik dhe sa më i madh numri i të ardhurave, aq më i vogël numri i fëmijëve. Ka ndryshuar niveli i shkollimit, pozitat, niveli i të ardhurave dhe femrat janë orientuar më shumë në karrierë”, tha Dushi për Radio Kosovën, transmeton RTKlive.

Sipas të dhënave që ka gjetur profesoresha Dushi, në dy vitet e fundit ka pasur diku rreth 31 mijë lindje në Kosovë.

“Kemi pasur rënie deri në vitin 2022, ndërsa në dy vitet e fundit kemi rritje për 2 mijë lindje më shumë brenda vitit. Që popullsia me mbet në nivelin e zëvendësimit, një çift bashkëshortor, duhet të lind të paktën 2,1 fëmijë, që do të thotë që çdo i dhjeti çift bashkëshortorë duhet të lind tre fëmijë, në mënyrë që popullsia as të mos rritet e as të mos zvogëlohet. Nëse rritet deri në 2.2; 2.3; 2.4, atëherë popullsia shkon duke u rritur. Ndërsa, 2.53, është norma për shkak se jo e gjithë popullsia merr pjesë në riprodhim. Një pjesë e popullsisë, 7 për qind, biologjikisht është popullsi sterile, që nuk merr pjesë në riprodhim, pastaj është pjesa e popullsisë që do të heq dorë nga lindjet, pjesa e popullsisë që nuk duan të hyjnë në martesë. Pra, të gjitha këto ndikojnë në zvogëlimin e shkallës të lindshmërisë”, shtoi ajo.

Dushi theksoi se problemi me statistikat në Kosovë është edhe regjistrimi i të lindurve në diasporë, pasi regjistrohen edhe në Kosovë në bazë të vendlindjes së nënës. Ndërsa bëri një krahasim me vendet e Evropës, që sipas saj dallimi është se në Kosovë ende nuk është hequr dorë nga lindja.

“Në vendet skandinave të Evropës, mbi 50 për qind të fëmijëve i kanë jashtë martesorë. Ndërsa ne, prej 7 deri në 8 fëmijë në vitet e ‘50-ta, kemi rënë në dy fëmijë, por nuk kemi hequr dorë nga ta. Ne ende i ruajmë normat e shoqërisë tradicionale, që të rinjtë tanë ende nuk kanë hequr dorë nga martesa dhe nuk kanë hequr dorë nga martesa. Jemi ende në nivelin e zëvendësimit dhe jemi në shkallën me të madhe të natalitetit në Evropë”, tha ajo.

Sipas demografes Dushi, vendet me shkallë të ulët të natalitetit zhvillojnë politika që stimulojnë popullsinë për të realizuar një numër më të madh të lindjeve.

“Stimulimi nuk është 10 euro, 30 apo 40 euro për një lindje, nuk quhet kjo politike. Politika është pushim i lehonisë për të dy prindërit, është shkollimi falas për fëmijë, politikë është sikurse vendet e tjera që kanë ardhura për fëmijët prej momentit kur të lindë deri në moshën 18 – vjeçare. Pra, këto janë politika, që barrën e rritjes së fëmijës e merr shteti”, nënvizon ajo.

Ndërkohë, profesori i Sociologjisë, Besim Gallopeni, tha për Radio Kosovën se rënia e natalitetit është një fenomen i shfaqur gjerësisht në shumë vende, përfshirë edhe Kosovën dhe lidhet me një sërë faktorësh.

“Migrimi i jashtëm, sidomos i të rinjve dhe çifteve të reja, ka ndikuar ndjeshëm në bazën e popullsisë që kontribuon në natalitetin apo shtimin e popullsisë në përgjithësi. Duhet përmendur edhe ndryshimet në stilin e jetës dhe vlerat familjare, ku hyjnë faktorët siç është shtyrja e martesës apo hyrja ë vonshme në martesë dhe është rritur mosha mesatare e martesës mbi të 30-tat për të dyja gjinitë. Kjo ndikon drejtpërdrejt në periudhën reproduktive të popullsisë. Kushtet ekonomike dhe socialë janë faktorë të tjerë që ndikojnë, pasi shumë të rinj sot bëjnë planifikime se sa janë në gjendje të ndërtojnë një bazë të qëndrueshme ekonomike dhe sociale dhe të kontribuojnë në zhvillimin e familjes përmes rritjes, ushqyerjes dhe edukimit të fëmijëve të tyre, tha ai, transmeton RTKlive.

Gallopeni foli edhe për mungesën e politikave pronataliste.

“Kosova ende nuk ka politika popullative, që do të ndikonte pozitivisht në ruajtjen e një stabiliteti demografik dhe më pas edhe social e ekonomik, kulturor e të tjerë”, tha ai.

Sipas Gallopenit edhe lëvizjet demografike në Kosovë kanë pasur një ndikim të ndjeshëm në natalitet.

“E tëra kjo ka bërë që ne të kemi rreth 11 mijë lindje brenda një viti apo më pak se dy fëmijë për një grua, që nënkupton se jemi ne një fazë shumë kritike të rritjes demografike. Po ashtu, nëse i referohemi regjistrimit të popullsisë, kuptojmë që Kosova brenda pak më shumë se një dekade ka humbur mbi 200 mijë banorë”, ka thënë ai.

Gallopeni foli edhe për pasojat që mund të ketë nga rënia e natalitetit.

“Shumë shkolla do të mbyllen, në mungesë të numrit të nxënësve, shumë vendbanime rurale do të zvogëlohen, mbase edhe do të shuhen në mungesë të numrit të popullsisë,  sigurisht do të rritet mosha e tretë e popullsisë, që e rëndon bazën ekonomike dhe buxhetin e shtetit. Kjo bën që ne mos të jemi në gjendje që në të ardhmen të mbulojmë nevojat tona për fuqi punëtore. Kjo përbën një shqetësim shumë të madh”, tha ai.

Gallopeni, iu bëri thirrje institucioneve përkatëse që sa më parë të mbledhin ekspertë për të bërë politika popullative në interes të vendit.