Lojtari me karrierë të rreme, i cili ishte afër Championsit

Disa njerëz do të provonin gjithçka për t’u bërë lojtarë profesionistë të futbollit. Gregoire Akcelrod e ka provuar këtë. Ai e mashtroi elitën e futbollit të Evropës – duke përfshirë një ekip të Ligës së Kampionëve – duke i dhënë vetes një shans nëpërmjet dërgimit të CV-së false.

Në moshën dhjetëvjeçare, francezi ishte si çdo djalosh i ri me një ëndërr: të bëhej futbollist. Problemi i vetëm ishte se ai ishte i tmerrshëm në futboll. Madje, edhe babai i tij e dinte se Gregorie ishte aq i dobët në futboll saqë ia ndaloi të luante për shkak se ndihej i poshtëruar nga i biri. Megjithatë, Gregorie nuk u dorëzua asnjëherë dhe kur u bë adoleshent i erdhi ideja për t’i mashtruar klubet. Në listën e klubeve të mashtruara nga ai janë edhe ato të Anglisë, Norwichi, Bournemouthi e Swindoni, që i ofruan mundësi të provohej. Mirëpo, kulminacioni i mashtrimit të tij është oferta e CSKA Moskës për të luajtur në Ligën e Kampionëve dhe e gjithë kjo nisi me krijimin e një faqeje të rreme që pretendonte se francezi Akcelrod ishte një yll i ardhshëm futbolli. Duke folur për kujtimin e tij të parë të futbollit, Akcelrod, i lindur në Paris, tha: “Unë luajta ndeshjen time të parë para babait tim në moshën 10-vjeçare. Ishte si një finale e ligës së kampionëve për mua”.

Atë ndeshje ekipi i Gregoriet e humbi me rezultatin e thellë 4:0, kurse fjalët e befasuan për të keq.

“Ne luajtëm kundër një ekipi të mirë dhe humbëm 4:0. Kur ishim në makinë duke u kthyer, babai im më tha se ishte shumë i mërzitur nga paraqitja ime e dobët. Ai më tha se jam shumë i keq në futboll dhe shtoi se nuk dëshiron të më shohë duke luajtur më”, kujton Alcelrod fjalët e hidhura të babait. “Unë u trondita. Të qenët me miqtë e mi në fushën e futbollit ishte koha më e mirë e javës sime, gjë që ai ma ndaloi”.

Mes moshës 10 dhe 18 vjeçe, Akcelrodit iu ndalua të luante futboll për shkak të mungesës së aftësisë së tij për këtë sport. I riu ka luajtur vetëm në kopshtin e tij, por asnjëherë nuk hoqi dorë nga ëndrra për të luajtur futboll profesional – kryesisht pasi donte të dëshmonte se babai i tij refuzues e kishte gabim.

Një ditë në shkollë një ide i erdhi në kokë. Akcelrod krijoi një uebfaqe të rreme, që pretendonte se ai ishte një lojtar profesionist që luante për rezervat e skuadrës së madhe franceze Paris Saint-Germain.

Ai kopjonte dhe ngjiste raportet e ndeshjeve nga gazeta “L’Equipe” si dhe largonte emrin e yllit sulmues të asaj ndeshjeje – siç ishte Nicolas Anelka – dhe e zëvendësonte me emrin e tij. Informacioni nuk ishte një gënjeshtër e plotë pasi Akclerod po luante vërtetë për PSG-në, por për ekipin amator që garonte në nivelin e fundit të futbollit francez – një nivel që ai vetë e përshkruan si “më të keqin në Francë”.

“Ju mund të jeni Cristiano Ronaldo në ekipin e pestë, por askush nuk ju shikon. Mua askush nuk më shikoi te PSG-ja, sepse luaja në nivelin më të ulët, i cili ishte vetëm për të goditur topin dhe për të vrapuar”, pranon Akcelrod tani 38-vjeçar.

Në këtë pikë, Akcelrod ishte distancuar tërësisht nga familja e tij ndikuese për shkak se kishte zgjedhur futbollin përpara arsimit dhe një karrierë të duhur në jetë. Në moshën 19 vjeçe, francezi, gjyshja e të cilit trashëgoi një pasuri nga aktori fitues i “Oscarit”, Maurice Chevalier, pas një martese 15-vjeçare, po punonte në “McDonalds” dhe jetonte në një apartament të vogël në Francë.

Refuzimi i skuadrave të mëdha

Si pjesë e maskimit të tij, Akcelrod madje u përpoq dhe u fut fshehurazi në fushën e PSG-së një ditë për të bërë një fotografi “zyrtare” të tij me kompletin e ekipit francez. Uebfaqja dhe CV-ja e tij u dërguan më pas në disa nga klubet më të mëdha në Angli. Chelsea, Manchester City dhe Arsenali e refuzuan atë, por skuadra e nivelit të dytë, Swindon Town, i dha atij një mundësi në verën e vitit 2003. Ishte një nga dy rastet kur lojtari i rremë e provoi veten te Swindoni.

“Në ditën e parë të provave unë isha aq i papërshtatshëm. Fizikisht dhe taktikisht isha tërësisht i humbur”, kujton Akcelrod. “Në ndeshjen kontrolluese që e pata, portieri goditi një top të gjatë, unë u përpoqa ta godas me kokë, por topi më goditi në fytyrë. Të gjithë qeshën”.

Francezi nuk u zgjodh për ditën e dytë të provave, por përsëri u paraqit në stadiumin “County Ground” për ndeshjen stërvitore të lojtarëve të tjerë para tifozëve. Pavarësisht se nuk kishte fare talent, këmbëngulja e Akcelrodit u vërejt edhe nga trajneri Andy King, që i mundësoi atij një shans të dytë duke ia dhënë 20 minuta lojë. Por, asnjë kontratë nuk iu ofrua pasi dita e parë e provave kishte bërë mjaft dëme.

Megjithatë, Swindoni nuk ishte i vetmi klub i nivelit të lartë që u bind nga mashtrimi i Akcelrodit. Problemet financiare të Bournemouthit në fillimin e viteve 2000 nënkuptonin që francezi amator mund të stërvitej me të për një javë në përgatitjet para-sezonale në vitin 2007. Akcelrod madje shënoi një gol për Bournemouthin në një ndeshje miqësore. Kjo bëri që Swindoni të ndërrojë mendje dhe ta ftojë edhe njëherë “yllin” amator më vonë. Dhe në përgatitjet para-sezonale ai shënoi dy gola në një miqësore ku po provoheshin 21 lojtarë të tjerë para tifozëve të klubit. Trajneri i ri i Swindonit, Paul Sturrock, nuk pranoi ta merrte atë përkundër lutjeve të mbështetësve të klubit. Shfaqja e tij me dy gola u kap nga kamerat e “Sky Sports” dhe kjo e çoi atë në një provë tjetër te Norwich City, por një paraqitje e dobët në një miqësore të ekipit rezervë e dërgoi në një tjetër refuzim.

Afrimi me skuadrën e Ligës së Kampionëve

Kishte oferta edhe në mes të të gjitha refuzimeve. Klubet profesioniste në Luksemburg i ofruan Akcelrodit një kontratë, por francezi i refuzoi ato duke shtuar se ishin shumë “të vogla” për të. Por, oferta e duhur gati erdhi në verën e vitit 2009, kur Akcelrod u kërkua të stërvitej te skuadra nga Bullgaria, CSKA Sofja, e cila sapo ishte kualifikuar në Ligën e Kampionëve. Të bindur se ai ishte një lojtar i ekipit rezervë të PSG-së, te CSKA i ofruan një kontratë trevjeçare me pagë prej 20 mijë eurove në muaj. Por, një seri e pafat e ngjarjeve që përfshijnë mbështetësit e klubit bënë që ekipi bullgar të zbulonte problemin e sulmuesit.

“Unë e bëra provën dyditore dhe trajneri menjëherë i tha agjentit tim se donte të më transferonte duke ma ofruar edhe kontratën. Ata bënë fotot e mia me fanellën zyrtare të CKSA-s, unë nënshkrova kontratën dhe klubi publikoi në faqen zyrtare se kishte nënshkruar me mua duke më vlerësuar si përforcim të duhur për Ligën e Kampionëve”, thotë francezi përpara se ta tregojë ngjarjen që ia prishi gjithë punën. “Por, ishin tifozët e PSG-së ata që më shkatërruan. Gjatë natës, një tifoz i CSKA-s kontaktoi një forum të PSG-së në internet dhe i pyeti për mua. Askush prej tifozëve të PSG-së nuk më njihte dhe ata i thanë atij se isha mashtrues pasi kishin kontrolluar faqen time edhe pse disa prej xhirimeve ishin të vërteta. Tifozi i CSKA-s kontaktoi çdo gazetar në Sofje dhe u zbulua se klubi do të nënshkruante një lojtar të rremë”.

Kur Akcelrod zbriti për mëngjes të hënën, askush nga CSKA nuk donte ta njihte më dhe atij iu kërkua të kthehej në Francë. Francezi kishte prova të tjera në Greqi, Kuvajt dhe Kanada dhe një vit që luajti për ekipin Mississauga Eagles në divizionin e lartë kanadez, që ishte i mjaftueshëm për të që ta përfundonte historinë e tij. Akcelrod tani ka një karrierë me kohë të plotë në futboll, thjesht jo atë që ai planifikoi. Francezi tani vepron si agjent i lojtarëve të rinj që përpiqen të futen në akademitë e futbollit – pa përdorur taktikat e rreme që ai i përdori për vete. 38-vjeçari gjithashtu ka shkruar një autobiografi me titullin “Profesionist me çdo kusht”, duke detajuar udhëtimin e tij të çuditshëm në futboll dhe duke u dhënë këshilla lojtarëve të rinj që hyjnë në lojë. Akcelrod pranon se ai pendohet për disa aspekte të caktuara të karrierës së tij të shkurtër të futbollit, por këmbëngul se kurrë nuk u mori klubeve para në përpjekjen e tij për t’u bërë një profesionist.

“Unë kurrë nuk kam vjedhur asnjë qindarkë në klube. Gjithmonë kam paguar për hotelin dhe fluturimet e mia. Klubet kanë humbur pak kohë, por kjo është normale. Në librin tim unë jap këshilla rreth trajnimit. Është mirë që kam bërë një histori të bukur në futboll, edhe pse të rreme”, thotë ai. “Në Francë, ne jemi një vend që gjykojmë njerëzit vetëm nga CV-të e tyre. E kuptova që edhe pse isha i mirë në prova, nuk më ishte dhënë një kontratë profesionale. Unë doja të tregoja se nuk ke nevojë për CV, sepse kisha qëndrim për t’u bërë lojtar dhe këtë e tregova”.