Maliqi: Opozita të lëshojë pe, të matet Albin Kurti

Analisti politik Shkëlzen Maliqi tha sot se opozita do të duhej t’i hapte rrugë zgjedhjes së Albulena Haxhiut në postin e kryeparlamentares, në mënyrë që t’i hapë rrugë LVV-së të matet për numrat rreth formimit të qeverisë.

Ai ka kërkuar që opozita ta komprometoje kryeministrin në detyrë Albin Kurtin e jo Haxhiun, e cila sipas tij është bërë si rrufepritëse e lojës së Kurtit.

Maliqi shkroi në Facebook se qëllimi duhet të jetë që Kurti të matet për vota rreth formimit të qeverisë.

“Opozita do të bënte mirë të lëshonte pe, kryetarllëku i Kuvendit i jep shumë pak pushtet Albulenës”, tha Maliqi.

“Qëllimi duhet të jetë hapja e rrugës për “matjen” e Albinit, të tregojë se a i ka ai më shumë se 57 vota, le të provon krijimin e një qeverie të brishtë… Proverbi thotë ‘i mençuri lëshon pe…’”, vazhdoi ai.

“Komprometojeni andaj Albinin, e jo Albulenën, ajo është bërë rryfepritëse për lojën meskine të Albinit për të blerë kohë dhe komprometuar opozitën për bllokadën e Kuvendit.”