Mbërrijnë 7000 teste për koronavirusin, kërkohen edhe 10 mijë të tjera

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se kanë arritur shtatë mijë teste për koronavirusin, derisa ka konfirmuar se janë kërkuar edhe 10 mijë teste të tjera.

“Shtatë mijë teste mbërritën sot në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për RT-PCR. Ato do të shërbejnë për të detektuar sëmundjen COVID-19. Ndërkohë, u iniciua kërkesa për furnizimin edhe me dhjetë mijë teste të tjera. Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbërriti një pjesë e donacionit me material mjekësor mbrojtës kundër COVID-19”, ka thënë Vitia.

Ai ka shtuar se në ditët në vijim mbërrin edhe donacioni nga UNICEF me materiale shtesë.

“Përmes Bankës Botërore kanë përfunduar proceduarat e aktivitetit të prokurimit për material mjekësor mbrojtës. Ndërsa në Ministrinë e Shëndetësisë, është në fazën finale prokurimi për materiale mbrojtëse, pajisje dhe barna. Krahas veprimeve institucionale, individë dhe biznese brenda dhe jashtë vendit po vazhdojnë të solidarizohen me donacione të shumta si kontribut për të administruar situatën me COVID-19”, ka shkruar ai.

Vitia tutje ka shtuar se rreth 300 vullnetarë janë regjistruar dhe aktualisht janë në krye të detyrës duke i dalë në ndihmë qytetarëve dhe personelit shëndetësor.

Sipas tij kjo kohë krize edhe një herë e vuri në pah solidaritetin, gatishmërinë, vetëdijen dhe kulturën e lartë qytetare.

Vitia ka bërë thirrjes sërish që të qëndroni në shtëpi.

“E gjithë kjo është një falënderim, mirënjohje dhe ndihmë e madhe për personelin shëndetësor. Qëndroni në shtëpi. Ndiqni rekomandimet e MSh-së dhe IKShP-së. Bashkë do t’ia dalim”, ka shkruar Vitia.