Sot testohen dhjetë mjekë të Llapit që patën kontakte me të infektuarit me koronavirus

10 mjekë e infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë do të testohen sot për të parë nëse janë të infektuar me koronavirus. Përveç mostrave të personelit shëndetësor, ekipet e IKSHP-së, kanë marrë edhe mostrat e shtatë personave që janë kthyer para dy javësh nga Italia.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar specialistja Bedrie Rama, e cila është pjesë e Shtabit Emergjent në këtë komunë.

Sipas Ramës, gjendja e mjekëve dhe infermierëve është e mirë, por meqenëse kanë pasur kontakt me personat e infektuar, ata duhet të testohen.

“Para dy ditëve kemi ba kërkesë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike që me ardh edhe me e testu personelin shëndetësor këtu në QKMF. Bëhet fjalë për 10 mjekë e infermierë. Sot, ekipet e IKSHP-së kanë ardh edhe i kanë marrë mostrat e personit dhe të dy familjeve që kanë ardh para dy javësh nga Italia. Gjendja e personit është e mirë, por meqenëse kanë pasur kontakt me personat e infektuar nga kjo komunë, duhet të testohen. Jemi në pritje të rezultateve”, ka thënë Rama për Express.

Aktualisht në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 33 persona të infektuar me COVID-19. ër gjendjen e tyre ka folur infektologu, Salih Ahmeti.

Ahmeti i ka thënë Gazetës Express se shtatë prej të infektuarve janë në gjendje të rëndë, sidomos tre prej tyre.

“Aktualisht në Infektivë janë të shtrirë 33 persona të infektuar. Gjendja e shtatë prej tyre është e rëndë, sidomos tre janë në gjendje shumë të rëndë. Janë duke u trajtu me terapi, tash ta shohim”, ka thënë Ahmeti për Express.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe dy raste të reja me koronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 88.

Sipas IKSHP-së, një prej rasteve është me vendbanim në Gjakovë dhe tjetri në Prishtinë.

“Sot me 27.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 108 mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, 2 prej tyre kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive janë raste kontakti, një me vendbanim në Gjakovë dhe tjetri në Prishtinë”, thuhet në njoftim.