Mbyllet ndeshja, Shqipëria barazon me Uellsin

Shqipëria ka barazuar sot me Uellsin në miqësoren që ishte programuar prej muajsh.  Kuqezinjtë kanë bërë një pjesë të parë relativisht të mirë ku dukej një skuadër e vendosur si duhet dhe u përpoq të shfrytëzonte ndonjë gabim të uellsianëve për t’i ndëshkuar.

Rastin e vetëm të pastër të pjesës së parë dhe të gjithë takimit, e krijuam me Manajn, në minutën e 16-të. Sulmuesi lushnjar provoi me një gjuajtje të rrezikshme brenda zonës, por topi shkoi mbi traun e portierit kundërshtar.

Ajo që u vu re është që Shqipëria e ka të vështirë të ndërtojë aksione të shpejta dhe efikasëse, për të krijuar më shumë raste për gol. Gjatë gjithë ndeshjes, kuqezinjtë nuk vunë asnjëherë në provë portierin kundërshtar Henesi, sepse nuk gjuajtën asnjëherë në kuadrat.

Madje në pjesën e dytë ishte Uellsi ai që krijoi më shumë më shumë raste për shkak edhe të zëvendësimeve që bëri, ku skuadra jonë hasi vështirësi më së shumti në mesfushë sepse Abrashi e kishte të vështirë të bënte Kukelin apo Bashën para mbrojtjes dhe shpeshherë dilte jashtë pozicionit.

Megjithatë kuqezinjtë rezistuan falë edhe 2 akrobacive të Selmanit dhe morën një barazim të merituar në një ndeshje ku nuk munguan as shkelmat dhe tensioni i tepruar. Për këtë  mjafton të shikosh numrin e kartonëve të verdhë, plot 7 të tillë në total.