Mbyllet rruga “Muharrem Fejza”, bëhet asfaltimi final

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se të premten dhe të shtunën do të mbyllet për qarkullim segmenti i rrugës “Muharrem Fejza”, për shkak të punimeve.

Do të mbyllet ai segment i rrugës përfshirë edhe gjithë rrugët lidhëse prej rrethrrotullimit te Rruga B në drejtim të lagjes Mati, përkatësisht deri te rruga “Ibrahim Oruçi”.

Ndërkohë të enjten ka nisur asfaltimi në hyrjet e rrugëve lidhëse.

Të premten dhe të shtunën qarkullimi do të ndalet nga ora 6:00 deri në ora 18:00.

“Komuna e Prishtinës kërkon nga banorët e lagjes që automjetet mos t’i parkojnë në parkingun paralel me shiritat qarkullues të rrugës dhe as në trotuare për arsye se pengojnë realizimin e punimeve dhe automjetet mund të dëmtohen gjatë spërkatjes me emulsion. Komuna e Prishtinës është tejet e përkushtuar në rregullimin e infrastrukturës rrugore, duke shtyrë përpara projekte me interes të përbashkët për Kryeqytetin”, thuhet nga Komuna e Prishtinës.