Memli Krasniqi kërkon nga Qeveria rritje të kapacitetit për vaksinim

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rrisë kapacitetet dhe numrat e qendrave të vaksinimit që të mos krijohen pritje të gjata për të marrë vaksinën.

Krasniqi tutje ka shtuar se Qeveria duhet të reagojë urgjentisht, pasi situata me pandeminë po përkeqësohet.

‘’qeveria duhet të reagojë urgjentisht! Jo vetëm me masa arbitrare, por edhe me plan konkret për zvogëlimin dhe evitimin e dëmeve që sjellin këto masa në shumë sektorë. Mbi të gjitha, duke siguruar vaksina të mjaftueshme në vazhdimësi, si dhe duke rritur kapacitetet dhe numrin e qendrave te vaksinimit, ashtu që qytetarët të mund të vaksinohen me kohë dhe pa pritje të gjata kohore, sikur po ndodh tash’’, ka shkruar ai në Facebook.

Lideri i opozitës ka kritikuar Qeverinë për qasjen e saj ndaj ekonomisë dhe profesionistëve shëndetësorë.

‘’Nëse nuk ndryshohet qasja aktuale e menaxhimit të pandemisë, pasojat do të jenë edhe më të rënda nga ato që sot qytetarët po i përjetojnë, ekonomia po i ndjen dhe profesionistët shëndetësorë po i vuajnë, për shkak të qëndrimit në distancë të Qeverisë. Pandemia nuk duhet të jetë një çështje e luftës së brendshme politike, por front i përbashkët në interes të qytetarëve. Për këtë kam apeluar gjithnjë. Edhe sot, unë nuk po flas vetëm nga pozicioni i liderit opozitar, por si njeri që ndjen dhimbjen e secilës familje që është në ankthin e pandemisë – dëmi i së cilës është i gjithanshëm e kompleks. Qytetarët nuk mund ta mbajnë të vetmuar barrën edhe të një mbylljeje tjetër, ekonomia nuk mund ta durojë edhe një goditje tjetër, arsimi nuk mund ta humbë edhe një hap tjetër. Mbi të gjitha, nuk duhet të tolerojmë të humbim jetë njerëzish, kur një menaxhim efikas mund të shpëtojë shumë prej tyre’’, shkroi ndër të tjera nga Krasniqi.