Shiroka-Pula shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me Kurtin

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet dy institucioneve.

Siç thuhet në njoftimin e presidencës, Shiroka Pula u falënderua nga kryeministri Kurti për gatsihmërinë për të marrë postin presidentes.

“Gjatë takimit, Presidentja Shiroka Pula shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të vendit. Kryeministri Kurti e falënderoi Presidenten për gatishmërinë për të marrë këtë përgjegjësi dhe i uroi suksese në detyrë. Ai shprehu përkushtimin për të bashkëpunuar me të në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe në çështjet me rëndësi për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Pas takimit, Kurti ka thënë se institucionet duhet të punojnë bashkë për “shumë sfida shtetërore”. 

Kurti ka shtuar se pas bllokadës politike të gjatë, Kosova s’ka më kohë për të humbur. 

“Takimi i parë me presidenten dhe mikpritje e zotim për punë të mëdha e të përditshme për interesin e gjithë qytetarëve, pa dallim. E falënderova shumë, e cila na nderoi me pranimin e saj të kandidaturës. Tash na presin shumë punë. Kosova, më në fund, pas më shumë se një viti ka institucione funksionale dhe tash nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”, deklaroi Kurti.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e vendit me 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues që e caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit.