MEPTINIS: Mos të ngrihen dyshime për rezervat shtetërore që nxisin panik te qytetarët

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), ka reaguar ndaj raportimeve të një pjese të mediave mbi sasinë e grurit në rezervat dhe zhdukjen e një sasie, duke thënë se përhapja e panikut në kushte të emergjencës shëndetësore është e dënueshme me ligj, në kohën kur Kosova përballet me pandeminë COVID-19.

Duke përkujtuar se sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, përcaktohet se vendndodhja e rezervave është sekret shtetëror dhe të gjitha të dhënat mbi to ruhen me konfidencialitet, MEPTINIS thotë se është angazhuar në maksimum që bashkërisht me prodhues dhe tregtues të grurit dhe miellit të krijohet siguria maksimale e furnizimit, pas rritjes së papritur të blerjeve të miellit nga konsumatorët.

“Do ta tejkalojmë shpejt, bazuar në bashkëpunimin me të gjithë prodhuesit të cilët janë duke punuar me kapacitete të plota. Si dhe ne në vazhdimësi kemi sasi të importit dhe gradualisht kërkesa në treg po shënon rënie. Shkrimi në media i publikuar në situatën në të cilën gjendemi nuk i kontribuon mobilizimit të përgjithshëm shtetëror e qytetar. Rezervat shtetërorë menaxhohen bazuar në ligjin për rezerva shtetërorë dhe vihen në qarkullim prapë bazuar në ligj duke e vlerësuar situatën”, thuhet në reagim.

MEPTINIS nuk ka komentuar sasitë të cilat janë përfolur në media për shkak se një gjë të tillë ia pamundëson ligji, derisa bën thirrje “që të mos të ngrihen dyshime për temat që nxisin panik te qytetarët”.