PDK e mban pak pezull LDK-në, nuk i tregon se a do ta përkrah mocionin

Partia Demokratike e Kosovës po shikon me vëmendje situatën dhe do të dal me një qëndrim konkret sa i përket mocionit të votëbesimit të qeverisë Kurti të cilin e ka iniciuar Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kështu ka thënë, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, sipas të cilit qeveria Kurti ka zgjedhur momentin më të keq për të shkaktuar këtë krizë politike, transmeton Kosovapress.

Sipas tij, kriza politike e cila po ndodhë në kohen kur qytetarët e Kosovës janë të prekur nga pandemia globale COVID-19, është akt i papërgjegjshëm i koalicionit VV-LDK.

Bytyçi theksoi se PDK shumë shpejtë do të dalë me një qëndrim konkret për këtë situatë të krijuar.

“Në këtë situatë të rëndë, ku gjinden qytetarët e Kosovës, pra duke u ballafaquar me pandemin e koronavirusit, qeveria Kurt i ka zgjedhur momentin më të keq në rrethanat më të këqija për të shkaktuar një krizë tjetër, ne këtë e shohim si akt të papërgjegjësisë dhe ikje të përgjithësisë që ka zoti Kurti në rend të parë si kryeministër, por edhe partitë tjera që janë në koalicion. Për ne kjo situatë është e pa pranueshme, mirëpo e kuptueshme në rrethanat në të cilat ka ndodhur për arsye sepse ne e kemi parë që kjo qeveri për një kohë të gjatë edhe pse është negociuar më shumë se 140 ditë, e ka pasur të vështirë të funksionojë duke ofruar një program qeverisës që është më i mirë për qytetarët. Në këto rrethana kur qytetarët rrezikohen për shkak të këtij virusi, ne shohim një luftë të brendshme për t’i qëruar hesapet politike, ne si parti jemi duke e shikuar me vëmendje situatën edhe shumë shpejt PDK-ja do të dal me një qëndrim konkret sa i përket mocionit të votëbesimit të qeverisë që e ka iniciuar partneri i këtij koalicioni”, tha Bytyçi.