Në Hagë të dielën është protestuar për të kërkuar drejtësi për ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara dhe për të shprehur pakënaqësi me procesin e deritanishëm gjyqësor që po shkon drejt fundit.
Në protestë dolën mijëra pjesëmarrës, shumica prej tyre nga diaspora, por pati edhe nga Kosova që udhëtuan.
Ata mbanin flamuj kombëtarë e pankarta me portretet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit që po gjykohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, në fjalimin e tij iu drejtua shteteve perëndimore duke kërkuar, siç ka thënë, ndaljen e padrejtësisë.
“Evropa nuk duhet të lejojë që drejtësia të shndërrohet në instrument politik. Bota demokratike nuk duhet t’i mbyllë sytë para një padrejtësie kaq të madhe, historia nuk duhet të shkruhet me aktakuza, por me të vërtetat e luftës sonë çlirimtare. I bëjmë thirrje ndërgjegjes ndërkombëtare, mos e ndëshkoni Kosovën për lirinë e saj, i gjykoni çlirimtarët si kriminelë, ndërsa kriminelët e vërtetë të Serbisë sot gëzojnë lirinë e tyre”, ka thënë Gucati.
E ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, i cili mori fjalën para turmës, ka deklaruar se UÇK-ja ishte këmba e NATO-s në tokë.
“Ata kanë ardhur në konkluzionin se UÇK-ja ishte organizatë terroriste. Kjo është e papranueshme, tash ju tregoj pse. Në vitin 1999 unë isha personi i kontaktit mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe çdo ditë kam informuar dhe kam pasur obligim të raportoja te Ministria e Jashtme. Çka kemi thënë çdo mëngjes është se UÇK-ja ishte këmba e NATO-s në tokë”, ka thënë Bosch.
Fatmir Koci, ish-ushtar i UÇK-së, ka thënë se janë mbledhur në Hagë për t’u thënë jo padrejtësive.
“Ne nuk kemi qenë as agresori, as pushtuesi. Ne ishim njerëzit e pafajshëm që luftuam për jetët tona, lirinë tonë dhe për vendin tonë. Dhe sot pas gjithë sakrificës që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës për ta sjellë lirinë, ne po përballemi me një padrejtësi”, ka thënë ai.
Vehbi Karaxha, i cili ka thënë se ka udhëtuar nga Gjermania për në Holandë, është shprehur se nuk i beson drejtësisë së Speciales në Hagë.
“Mendimi im është që edhe ata gjykatësit janë mbështetës, Serbia është aty që e imponon krejt. Nuk është kjo gjykatë, nuk mund të them se është gjykatë e drejtë, edhe këta janë tradhtarë në këtë gjykatë të gjithë”, ka thënë Karaxha.
Protesta është zhvilluar një ditë para se në Gjykatë mbrojtja e Hashim Thaçit të nisë çështjen e saj, duke prezantuar provat e thirrjen e dëshmitarëve.
I pari që do të dëshmojë, me kërkesë të mbrojtjes, është James Rubin, ish-ndihmëssekretar i SHBA-së gjatë kohës së luftës në Kosovë.