MINTI nënshkruan marrëveshje rreth 9.4 milionë euro për transformimin e gjelbër të bizneseve

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka nënshkruar një marrëveshje pesëvjeçare për zbatimin e projektit “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë (GPEK)”, me vlerë të përgjithshme prej 8.78 milionë frangash zvicerane, rreth 9.4 milionë euro.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e MINTI-t, Mimoza Kusari-Lila, dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher. Projekti realizohet në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), me bashkëfinancim nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), dhe do të zbatohet gjatë periudhës 2026–2031.

Sipas MINTI-t, projekti synon të mbështesë tranzicionin e gjelbër të sektorit privat në Kosovë, duke rritur konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë klimatike të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ai do të fokusohet në promovimin e teknologjive më të pastra, rritjen e efikasitetit në përdorimin e burimeve dhe nxitjen e praktikave të qëndrueshme të biznesit.

Ministrja Kusari-Lila deklaroi se transformimi i gjelbër i industrisë dhe ekonomisë mbetet një nga prioritetet strategjike të ministrisë, duke theksuar se investimet në inovacion dhe teknologji të qëndrueshme janë kyçe për zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit.

Ajo shtoi se projekti pritet të ndikojë në fuqizimin e ndërmarrjeve vendore, promovimin e investimeve të gjelbra, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e përfshirjes së kategorive të nënpërfaqësuara në zhvillimin ekonomik.

Me këtë rast, ministrja falënderoi Qeverinë e Zvicrës, SDC-në, SIDA-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe besimin në potencialin zhvillimor dhe ekonomik të vendit.