Xhavit Haliti

Mishetiq: Hashim Thaçi është i pafajshëm

Avokati Luka Mishetiq e ka nisur fjalën e vet duke deklaruar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe që kjo është pikënisja prej ku duhet të merret vendimi.

“Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor”, u ka thënë Luka Mishetiq gjyqtarëve.

Avokati i Thaçit u ka thënë gjykatësve se e sheh problematik faktin që në gjithë dosjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) janë shpërfillur të gjitha provat të cilat diskreditojnë provat dhe pretendimet e saj.

“Kur analizohen dhe shqyrtohen parashtrimet përfundimtare të ZPS-së është sikur të lexohet një kronikë apo analizë e një filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë filmin”.

Përgjatë fjalës së vet, avokati i Thaçit u ka thënë gjykatësve se shpallja fajtor e klientit të tij do të përbënte “padrejtësi ligjore dhe historike”.

“Argumentet e ZPS-së nuk përbëjnë interpretimin e arsyeshëm të vetëm të provave, që është standardi që duhet arritur që ju të rishkruani historinë e Kosovës, në këtë rast për ta shpallur fajtor Hashim Thaçin. Ka dyshime të bazuara të mjaftueshme për ju që ta shpallni atë jofajtor për të gjitha pikat e aktakuzës”.

Avokati i Thaçit është fokusuar te pika e akuzës së Prokurorisë (ZPS) se ka ekzistuar një ndërmarrje e përbashkët kriminale, në krye me të akuzuarit, me qëllim të marrjes nën kontroll të gjithë Kosovës.
Mishetiq u ka thënë gjyqtarëve se nuk ka pasur prova të drejtpërdrejta që ka ekzistuar një plan i tillë.

“Nuk ka pasur prova të takimeve ku është diskutuar ky synim, dokumente shkresore që të tregohet se është rënë dakord apo është diskutuar ky synim, nuk ka dhënë dëshmi asnjë dëshmitar lidhur me ekzistencën e këtij synimi. Në fakt, secili prej dëshmitareve që e ka pasur mundësinë të flasë për këtë çështje, e ka hedhur poshtë teorinë e ZPS-së, dhe për më keq, ZPS-ja nuk i ka bërë pyetje asnjë dëshmitari”, ka thënë Mishetiq.