Mishi i kuq rrit rrezikun për diabet


Një studim i ri i kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka gjetur lidhje mes konsumimit të mishit të kuq dhe rrezikut për zhvillim të diabetit të tipit 2.

Studimi i kryer nga hulumtuesit e Universitetit të Harvardit mori për bazë të dhënat e 216 mijë personave. Hulumtimi u publikua në “American Journal of Clinical Nutrition”. Sipas publikimit, secilit pjesëmarrës në të iu kërkua të plotësonin një formular për ushqimin, duke analizuar dietën e tyre për periudhë deri në 36 vjet.

Hulumtuesit gjetën se “konsumimi i mishit të kuq, të përpunuar dhe të papërpunuar, ishte përafërsisht në mënyrë lineare i lidhur me rreziqe më të larta të diabetit të tipit 2”, duke qenë se 22 mijë e 761 pjesëmarrës zhvilluan diabetin.

Sipas të dhënave, ata që konsumuan më shumë mish të kuq kishin 62 për qind rrezik më të madh për të zhvilluar diabet të tipit 2 në krahasim me ata që konsumonin më pak. Çdo shujtë ditore shtesë e mishit të kuq të përpunuar gjithashtu shtonte rrezikun për sëmundje.

Ata që konsumonin shujta shtesë të mishit të kuq të përpunuar, kishin 46 për qind rrezik më shumë për të zhvilluar sëmundjen. Konsumi ditor shtesë i mishit të papërpunuar shtonte rrezikun për 24 për qind.

Profesori Walter Willet, autori kryesor i studimit, ka thënë se “një kufi prej një porcioni mish të kuq në javë do të ishte i arsyeshëm për njerëzit që dëshirojnë ta ruajnë shëndetin dhe mirëqenien”.

Sipas studimit, po që se mishi i kuq zëvendësohet me arra e bishtajore, ulet rreziku për 30 për qind për diabet të tipit 2.