A ju ka ndodhur ndonjëherë të harroni ku i keni lënë çelësat apo pse keni hyrë në një dhomë? Këto “bllokime të trurit” mund të jenë më shumë se lodhje apo shpërqendrim. Sipas një studimi të ri, ato mund të lidhen me mungesën e një vitamine thelbësore për shëndetin e trurit, ka shkruar “The Sun”.
Bëhet fjalë për vitaminën K, një lëndë ushqyese që gjendet kryesisht në perimet me gjethe jeshile. Ndërsa është e njohur për rolin e saj në forcimin e eshtrave dhe koagulimin e gjakut, hulumtuesit nga Universiteti Tufts në SHBA kanë zbuluar se mungesa e saj mund të ndikojë në kujtesën dhe funksionin njohës.
“Mungesa e vitaminës K në ushqim, që është e zakonshme te të moshuarit, lidhet me rënien e aftësive mendore me kalimin e moshës”, kanë shkruar studiuesit në Journal of Nutrition.
Çfarë ndodh me trurin kur mungon vitamina K?
Studimi, i udhëhequr nga Tong Zheng, shkencëtar në Qendrën e Hulumtimeve për të ushqyerit në USDA, u realizua me minj dhe ka treguar se mungesa e vitaminës K ka ndikuar direkt në hipokampus – pjesa e trurit që merret me kujtesën.
“Ka kërkime që tregojnë se vitamina K kontribuon në funksionimin e trurit dhe se ky funksion bie gjatë plakjes. Ajo duket se ka efekt mbrojtës. Ne po përpiqemi të kuptojmë mekanizmin që qëndron pas këtij efekti, që një ditë ta shënjestrojmë posaçërisht”, ka thënë Zheng.
Minjtë që kishin mungesë të vitaminës K e kishin më të vështirë të gjenin rrugën për të dalë nga një labirint uji.
Analizat e trurit të tyre treguan:
Më pak qeliza të reja në hipokampus
Më shumë shenja inflamacioni, i lidhur me sëmundjet neurodegjenerative
Më pak menaquinone-4, një formë e vitaminës K që gjendet në tru
“Neurogjeneza është e rëndësishme për të mësuarit dhe kujtesën, dhe kur bie, ndikon drejtpërdrejt në rënien mendore që vumë re te minjtë”, ka shtuar Zheng.
A duhet marrë suplemente?
Ekspertët thonë jo. Nuk ka nevojë të vraponi për të blerë suplemente, mjafton të hani shëndetshëm.
“Njerëzit duhet të kenë një dietë të shëndetshme. Duhet të hanë perimet e tyre. E dimë që një dietë e mirë funksionon, dhe se ata që nuk ushqehen mirë nuk jetojnë gjatë dhe nuk performojnë mirë mendërisht”, ka theksuar doktoresha Sarah Booth, drejtoreshë e HNRCA dhe autore e lartë e studimit.
Ushqimet më të pasura me vitaminë K që duhet t’i përfshini në dietë
Perime me gjethe të gjelbra:
Spinaqi
Lakra e gjelbër
Brokoli
Lulelakra
Rukola
Lakra e bardhë
Lakra e Brukselit
Burime të tjera:
Soja dhe vaji i saj
Boranitë
Drithërat e plota
Avokadot
Qershitë dhe kumbullat e thata
Boronicat, manaferrat dhe kivit
Sasi të vogla gjenden në mish dhe produkte bulmeti
Sipas institucioneve shëndetësore në Britani, një i rritur ka nevojë për rreth 1 mikrogram vitaminë K për çdo kilogram të peshës trupore në ditë. Pra, një person që peshon 65 kg do të ketë nevojë për rreth 65 mikrogramë vitaminë K në ditë, që mund të sigurohet lehtësisht me një dietë të balancuar.