Mustafa nga Klubi i Prodhuesve: Qeveria ta rishikoj vendimin për ndalesën e eksporteve të produkteve esenciale, prodhuesit po rrezikohen në humbjen e tregut

Kryetari i Bordit të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Berat Mustafa gjatë një interviste për Telegrafin ka thënë se Qeveria duhet ta rishikoj vendim për ndalesën e eksporteve të produkteve esenciale.

Mustafa thekson se kjo vazhdimi i kësaj mase po i rrezikon prodhuesit në humbjen e tregut.

“Ne kemi qenë dakord me Qeverinë, në fillim të prillit, ku ishte një panik në popull, në regjion e në Evropë që të merren disa masa për një kohë të caktuar që të mbrohen konsumatorët e që largohet paniku për produktet esenciale. Mirëpo, nuk jemi të pajtimit me ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdari që këto masa të zgjasin pesë muaj, pra janë masa të stërzgjatura, ku prodhuesit tonë që atë treg që e kanë pasur me rastin e eksportit kanë filluar ta humbin”, tha Mustafa.

Sipas tij, Kosova ka mbetur i vetmi vend në rajon që vazhdon që t’i ketë këto masa.

“Nga informatat që i posedojmë, disa prodhues që t’i plotësojnë kontratat, po punojnë me rajonin për përpunimin e këtyre produkteve, e kurse prodhuesit vendor duhet të rrinë, e të presin”, thotë ai.

“Jemi i vetmi shtet në rajon e Evropë që kemi mbetur për këto ndalesa të produkteve. Derisa Ukraina e Rusia po luftojnë, asnjëherë nuk i kanë ndalur eksportet e produkteve esenciale. Një vend që jemi stabil e që kemi një ekonomi stabile, e një zhvillim të konsiderueshëm, pse duhet t’i kemi këto masa”, shtoi Mustafa.

Ai apelon te Qeveria që të rishikohet ky vendim, përndryshe sipas Mustafës do të ketë shtim të importeve.

“Apeloj te Qeveria, te ministrja Hajdari, posaçërisht të kryeministri Albin Kurti që t’i rishqyrtoj këto masa sa më shpejtë që të mos kemi humbje, përndryshe tërë kohën kemi rritje të importeve dhe rënie të prodhimit vendor”, apelon ai.

“Kemi pasur komunikim me ministren Hajdari, mund të themi dy herë në javë, por deri më sot ne nuk kemi një përgjigje të saktë. Sa herë që takohemi thotë se së shpejti, së shpejti por kanë kaluar pesë muaj”, përfundon Mustafa.

Në këtë intervistë, kryetari i Bordit të KPK-së ka folur edhe për problemet që po hasin prodhuesit me reduktimet e rrymës dhe inflacionin në vend. /Telegrafi/