Mustafa: S’kemi diskutime për koalicion me asnjë parti

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë së partisë duke thënë se ende nuk kanë një emër për kandidat për kryeministër.

Ai tha se janë duke punuar në këtë drejtim dhe se shumë shpejt do të dalin me kandidatin e tyre për zgjedhjet e reja, njofton Klan Kosova.

“Diskutuam për përgatitjet për zgjedhje, po ashtu edhe për kriteret për kandidatët që do t’i marrim edhe nga degët tona, por edhe nga opinioni qytetar për deputetë të Kuvendit. Jemi në përgatitje dhe po punojmë sot edhe të hënën dhe do të bëjmë përpjekje që të dalim me kandidatin sapo ta kemi. S’po flas për emra sepse duhet të diskutojmë në organe, shpejt do ta merrni vesh edhe ju”.

Ndërkaq, për vizitën e deputetit të AAK-së, Gazmend Abrashi, Mustafa ka thënë se nuk kanë diskutuar për koalicion të mundshëm.

“S’kemi fare diskutime për koalicion me AAK-në. Me asnjë parti s’kemi diskutime për koalicion. S’është vizitë zyrtare kjo e deputetit Abrashi”.

Për vaksinimin në veri të vendit, kryetari i LDK-së ka cituar kryeministrin në detyrë Hoti, i cili ka thënë se do të sqarohet mënyra se si kanë hyrë vaksinat kundër COVID-19 nga Serbia në Kosovë.