Në 24-vjetorin e rënies heroike të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, kryeministri Kurti bëri homazhe në Drenas

Në 24-vjetorin e rënies heroike të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te shtatorja e tyre në Drenas.


Që nga vitet ’80-të e tutje, emri i Fehmi Lladrovcit haset kudo ku kishte veprimtari politike dhe ushtarake për çlirimin e Kosovës nga Serbia. Por ashtu siç emri i Azem Galicës rëndom përmendet bashkë me emrin e gruas së tij Shotës, edhe emri i Fehmi Lladrovcit është bërë i pashqitshëm nga emri i gruas së tij Xhevë Krasniqit, ka thënë Kryeministri.


Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, janë ndër figurat kyçe të organizimit dhe ngritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si të tillë, bashkërisht, ata janë bërë pjesë e historisë moderne të Kosovës, asaj historie që ata e kanë bërë dje, kurse neve na takon ta kujtojmë e shkruajmë sot, ka theksuar ai.

Më 22 shtator 1998, bashkë me luftëtarë të tjerë të UÇK-së, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci u përballën disa orë rresht me njësite të tëra serbe në Gradinë, ku të dy bashkë ranë dëshmorë duke luftuar përballë trupave serbe. Atë ditë, bashkë me ta ranë dëshmorë edhe Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka.


Në këtë përvjetor, Kryeministri Kurti nderoi kujtimin e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Fatime Hetemit, Shefqet Zekës dhe të gjithë dëshmorëve që ranë në rrugën e gjatë për çlirimin e Kosovës.