Në Spitalin e Pejës po trajtohen 105 pacientë me koronavirus, 18 në gjendje të rëndë

Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës janë duke u trajtuar 105 pacientë me COVID0-19, prej të cilëve 18 të infektuar janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Përmes një komunikate për medie, është bërë e ditur se në 24 orët e fundit janë shëruar 8 pacientë të cilët kanë qenë të infektuar me COVID-19.

“8 Pacientë janë shëruar gjatë 24 orëve të fundit nga Covid-19 në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë. 105 pacientë janë duke u trajtuar aktualisht me Covid-19. Sa i përket gjendjes së pacientëve: 4 Pacientë janë në Respirator (CPAP), 74 pacientë janë në Oksigjeno terapi ndërsa nga këta 18 pacientë janë në gjendje më të rëndë”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, 185 pacientë kanë marrë trajtim emergjent shëndetësorë, dhe nga këta 21 pacientë janë shtrirë për trajtim të mëtutjeshëm.

“1 lindje kanë qenë gjatë gjatë ditës së djeshme në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, dhe foshnja e porsalindur është e gjinisë mashkullore. 297 pacientë kanë kryer analiza, që në total kanë bërë 4,485 analiza, ndërsa janë kryer 3 operacione”, bëjnë të ditur nga spitali.