Në veri votuan vetëm 3.47% e qytetarëve

Vetëm 3.47 për qind e 45 mijë e 95 qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat e veriut të Kosovës kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë të dielën në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan e Mitrovicë të Veriut.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut votuan 837 qytetarë apo 4.62 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Në Leposaviq votuan 141 votues apo 1.06 për qind, në Zubin-Potok 385 votues apo 5.78 për qind dhe në Zveçan 204 qytetarë apo 2.92 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, ka thënë në konferencën për media se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka ofruar mundësinë dhe kushtet të gjithë qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë.

Ai ka konfirmuar se ka nisur numërimi i votave e se rezultatet pritet të dalin pas orës 20:00.