Negociata me Osmanin? Përgjigjet Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur lidhur me pretendimet për negociata të mundshme me presidenten Vjosa Osmani.

Haziri tha se partia e tij nuk është e përfshirë në bisedime me presidenten për çështje të tilla politike.

Ai nënvizoi se posti i presidentit kërkon respekt institucional.

“E vërteta e vetme është se Vjosa Osman-Sadriu është në zyrë si Presidente deri më 5 prill të këtij viti, me autorizime të plota dhe i takon vetëm asaj që gjatë kësaj kohe të bëjë vlerësime, zbardhje apo me shkaktu procese politike që i ka në autoritet dhe në vendimmarrje”.

“LDK-ja nuk ka qenë në negociata, as nuk është në negociata me autoritete të tilla, sepse ne e dimë përfaqësimin, çka do të thotë President i Republikës. Kjo është një lloj lidhje edhe emocionale me atë zyrë, LDK-ja e ka pasur gjithmonë Presidentin dhe Zyren e Presidentit jashtëzakonisht të ndjeshme, për shkak të historisë”, u shpreh ai në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova.