Neymari do të tërhiqet nga Brazili në fund të vitit

Ylli i Paris Saint-Germainit, sulmuesi Neymar ka marrë vendim për të ardhmen e tij te Përfaqësuesja e Brazilit. Bëhet e ditur se Neymar ka vendosur të tërhiqet nga Brazili në fund të këtij viti, saktësisht me të përfunduar Kampionati Botëror “Katari 2022”. Për Neymarin, Botërori që nis në muajin nëntor, do të jetë turneu i fundit në karrierë me fanellën e Brazilit. E një gjë të tillë, e ka zbuluar bashkëlojtari i tij te Brazili, sulmuesi i krahut, Rodrygo që është pjesë e skuadrës së Real Madridit. Në fakt, Rodrygo ka bërë të ditur se Neymar u ka kumtuar lajmin e tërheqjes së tij nga skena ndërkombëtare të gjithë bashkëlojtarëve te Brazili. Po ashtu, ai i ka njoftuar ata se kujt ka vendosur t’ia lërë fanellën me numrin dhjetë, të cilën para tij e kanë bartur legjendat si Pele, Ronaldinho e Kaka. Numrin e Neymarit te Brazili, do ta trashëgojë Rodrygo dhe një gjë të tillë, atij ia ka konfirmuar vetë sulmuesi i PSG-së.

“Neymari më ka thënë se do të largohet nga Brazili në fund të këtij viti. Në të vërtetë, të gjithë bashkëlojtarëve na ka treguar një gjë të tillë gjatë grumbullimit të fundit që e patëm. Po ashtu, ai më tha se numrin dhjetë do ta trashëgojë unë dhe mbeta i befasuar, sepse nuk dija ta trashëgojë unë dhe mbeta i befasuar sepse nuk dija çka ti thosha”, është shprehur Rodrygo në një intervistë për ESPN. “Në njërën anë ndihesha krenar që do ta trashëgoj numrin e Neymarit, por në anën tjetër, i mërzitur me largimin e tij. I thashë që ai mund të luajë ende sepse është njëri prej lojtarëve kryesorë, por Neymari më tha se tashmë ka vendosur për të ardhmen e tij te Brazili”.

Neymari është golashënuesi i dytë më i mirë në histori të Brazilit, me 74 gola të shënuara. Megjithatë, Neymar me Brazilin nuk ka arritur ta fitojë asnjë trofe për shkak të lëndimeve të shpeshta që i ka pasur. Ai në vitin 2010, ka debutuar te Brazili me 18 vjet, ku qysh në ndeshjen e parë kundër SHBA-së, shënoi pas vetëm 28 minutave lojë. Në total, Neymar ka 119 paraqitje deri më tani por i mungon një trofe i rëndësishëm. Ai po shpreson që ta udhëheqë Brazilin drejt suksesit në Botërorin “Katari 2022” në mënyrë që të largohet me kokën lart. Në fakt, në vitin 2019 Brazili pati triumfuar në Copa America, por Neymari ka qenë i lënduar dhe nuk ka arritur ta ndihmojë ekipin në këtë turne të rëndësishëm.

“Ai është dhe mbetet njëri prej sulmuesve më të mirë në botë. Shpresoj që ta fitojmë titullin e botës në Katar, pasi duam që ai të largohet si një legjendë e vërtetë”, ka pranuar Rodrygo.

Në Botërorin e këtij viti, Brazili bën pjesë në Grupin B, së bashku me Zvicrën, Kamerunin e Serbinë. Për dallim prej Brazilit, Neymari nuk e ka ndërmend të largohet nga Paris Saint-Germaini këtë verë, pavarësisht se ekipit francez i duhet të shkurtojë kostot për të përmbushur kërkesat financiare të UEFA-s. Edhe pse shihet si kandidati kryesor për t’u shitur nga PSG-ja, në mënyrë që t’i balancojë librat duke pasur parasysh se është njëri prej lojtarëve më të paguar në ekip, me pagë vjetore mbi 40 milionë euro. Megjithatë, javë më parë, Neymari ka insistuar se do të jetë pjesë e Parisit të paktën edhe për sezonin e ri. 30-vjeçari ka kontratë me PSG-në deri në vitin 2025 me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Ai është pjesë e Parisit prej vitit 2017, kur iu bashkua nga Barcelona për 222 milionë euro.