Nga masa për arrest shtëpiak te dorëzimi në pikëkalimin kufitar në Morinë – gjithçka rreth rastit të Vlora Hysenit

Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni tashmë është shkarkuar nga pozita dhe ndodhet në masën e arrestit në shtëpi, pas kërkesës së Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).

SPAK-u ka njoftuar se Hyseni po hetohet për veprat penale “përkrahja e autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

Masa ndaj saj u bë publike më 22 shtator, ndërsa Hyseni ndodhej në Baku të Azerbajxhanit për një vizitë pune.

Lidhur me rastin në pyetje është marr edhe ish drejtori i Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda.

Çka thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK-ut?

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë të ditur se po kryhen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.

SPAK ka dalë edhe me njoftim zyrtar, ku bëhet e ditur për masën e arrestit shtëpiak për Vlora Hysenin dhe fillimisht pezullimin nga ushtrimi i detyrës.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 67, datë 21.9.2026 ka caktuar këto masa sigurimi:

“Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetases V. H., me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHSH), si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.

“Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin F.K., me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.

“Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Me vendimin nr. 618, datë 20.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit I.P., ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.

Me vendimin nr. 619, datë 21.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave që ndodhen në adresën; kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozet, Durrës.

Rama e liroi nga detyra shefen e SHISH-it, Vlora Hyseni

Disa orë pas lajmit për Vlora Hysenin, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se e ka liruar nga detyra shefen e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).

Kjo pasi Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që ajo të pezullohet nga detyra dhe të vendoset në arrest shtëpiak.

Masat e vendosura nga Prokuroria e Posaçme lidhen me një hetim për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Rama, që gjendet në Shtetet e Bashkuara ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, tha se është njoftuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për Hysenin dhe tha se pret që çdo dyshim i organit ndjekës të hetohet dhe të zbardhet.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falënderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë”, shkroi Rama.

Ai në rrjetet sociale paralajmëroi se sapo të kthehet nga SHBA-ja, në konsultim me presidentin Bajram Begaj, do të emërohet kreu i ri i SHISH-it.

Presidenti Begaj dekretoi shkarkimin e drejtueses së SHISH Vlora Hyseni

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra e drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).

Vendimi është marrë me propozim të kryeministrit Edi Rama, ndërsa vjen pasi Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj Hysenit masën e sigurisë “arrest me burg” dhe pezullimin nga detyra.

Ish-drejtoresha e SHISH Vlora Hyseni iu dorëzohet autoriteteve shqiptare në kufi me Kosovën

Disa orë pas lajmit të bërë publik, ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, i është dorëzuar autoriteteve shqiptare në kufi me Kosovën.

Në njoftimin zyrtar të SPAK thuhet se Hyseni po hetohet për veprat penale “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit hetimor”.

Vlora Hyseni ndodhej në një vizitë pune në Baku të Azerbajxhanit, ku merrte pjesë në një konferencë me drejtues të shërbimeve informative nga vende të ndryshme.

Për të njëjtën dosje, kontroll personal dhe në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nën dyshimin se aty mund të gjendeshin prova dhe fakte me interes për hetimin.

Pas kontrollit, agjentët e BKH shoqëruan Ilir Prodën drejt SPAK ku ai u pyet për gati 3 orë. Ilir Proda ishte Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Shqipëri, deri në mars të vitit 2026, ku u shkarkua pas incidenteve të shkaktuara gjatë protestave.

Por emrat e Hysenit dhe Prodës nuk janë të vetmit që janë përfshirë në aksion. SPAK ka ekzekutuar edhe masa sigurie ndaj disa personave të tjerë, ndërsa kontrollet janë shtrirë në disa banesa dhe zyra.

Mes personave të vënë në pranga janë vendosur Fatjon Kalluçin, me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, për veprën penale zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete dhe Embro Sulejmanin pronar biznesi në zonën e Durrësit për veprën përkrahje e autorit të krimit.

Deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës, personat ndaj të cilëve janë vendosur masa sigurie prezumohen të pafajshëm.

Reagimet pas rastit të Vlora Hysenit

Masa ndaj Vlora Hysenit, Berisha: Hera e parë në histori që kreu i një shërbimi sekret vihet në funksion të krimit

Hera e parë në histori që një shefe e shërbimit sekret ishte në funksion të krimit. Kështu është shprehur kreu i selisë blu Sali Berisha, pasi GJKKO vendosi masën e sigurimit arrest në shtëpi për Vlora Hysenin.

Në një konferencë për mediat, Berisha theksoi se ka tradhtuar detyrën e ligjin si edhe ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve.

“Në histori keni lexuar, keni dëgjuar që shefat e shërbimeve të kenë punuar në kundërshtim me ligjet për diktatorë, për agjenci të tjera, por kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit. Sot prokuroria ka lëshuar urdhër arrest për Vlora Hysenin, shefen e shërbimit informativ kombëtar si bashkëpunëtore në krim, si njeri që ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve. Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky”, deklaroi Berisha, teksa riktheu në vëmendje edhe denoncimet për Vlora Hysenin që nga vitit 2022 kur vendos në krye të këtij institucioni.

Masa e sigurisë ndaj shefes së SHISH-ut, reagon deputetja Koçeku: E shkarkoi Kurti, e emëroi Rama, e arrestoi SPAK-u

Edhe deputetja që u largua nga Partia Socialiste e Shqipërisë, Marjana Koçeku ka reaguar lidhur me masën e sigurisë që i është dhënë shefes së Shërbimit Informativ të Shqipërisë, Vlora Hyseni.

Ajo në një postim në platformën X shkruan se “asgjë me emrin Vlorë nuk i ka mirë punët këto ditë”.

“Vlorën e ka emnu Hashim Thaçi e ka shkarku Albin Kurti e ka emnu Edi Rama, e ka arrestu SPAKU. Asgja me emnin Vlorë nuk i ka punët mirë këto kohë”, ka shkruar ajo.

Lidhur me rastin e Vlora Hysenit ka pasur reagime të shumta.

Por, si u emërua shefja e SHISH, Vlora Hyseni?

Vlora Hyseni ka një karrierë të gjatë në fushën e inteligjencës dhe sigurisë. Ajo ka punuar për disa vite në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ku fillimisht ka mbajtur postin e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe, prej vitit 2019, atë të zëvendësdrejtores.

Më 30 qershor 2021, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti morën vendimin për shkarkimin e Hysenit nga posti i zëvendësdrejtores së AKI-së.

Në njoftimin e publikuar në atë kohë nga Qeveria e Kosovës nuk jepeshin detaje mbi arsyet e shkarkimit.

Aty thuhej vetëm se vendimi ishte marrë në bazë të ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Sipas njoftimit, vendimi e detyronte Hysenin të dorëzonte të gjitha mjetet dhe materialet që kishte në ngarkim, si dhe të ruante informacionet e marra gjatë ushtrimit të detyrës, përfshirë informacionet e klasifikuara.

Në deklaratën e atëhershme të qeverisë theksohej gjithashtu se zbulimi apo mosruajtja e informacionit të klasifikuar përbënte vepër penale dhe ishte e dënueshme sipas ligjit.

Pas largimit nga detyra, Hyseni u angazhua në Shqipëri si këshilltare e kryeministrit Edi Rama.

Rruga drejt drejtimit të SHISH

Më 17 mars 2023, kryeministri Edi Rama propozoi Vlora Hysenin për drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Emërimi i saj u shoqërua në atë kohë me reagime dhe debate politike lidhur me të kaluarën e saj në institucionet e inteligjencës së Kosovës.

Më 3 prill 2023, Presidenti Bajram Begaj dekretoi Hysenin në krye të SHISH-it, duke zëvendësuar Helidon Bendon.

Pas më shumë se tre vitesh në drejtimin e institucionit, Hyseni është tashmë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe e pezulluar nga detyra, në kuadër të hetimeve të SPAK.

Hetimi vijon dhe pritet që organet e drejtësisë të bëjnë publike më shumë detaje mbi rrethanat dhe provat e çështjes. /Telegrafi/