Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzën e parë lidhur me zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025, për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, e paraparë me nenin 217 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton www.gazetastop.com.
Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2025, në një qendër votimi në qytetin e Shtimes, i pandehuri me inicialet M.A. dyshohet se ka dëmtuar dhe asgjësuar dokumente të votimit që lidhen me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, janë përmbushur elementet e veprës penale, ndërsa aktakuza është ngritur pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, e cila do të vendosë për hapat e mëtejmë të procedurës, raporton www.gazetastop.com.
Prokurori i Shtetit ka theksuar se të gjitha rastet eventuale që lidhen me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025 do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.