Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila erdhi për vizitë në Kosovë në kuadër të një vizite në vendet e Ballkanit Perëndimor, tha se me të ka diskutuar për “rëndësinë e heqjes së masave të padrejta” të BE-së ndaj Kosovës.
Osmani gjithashtu tha se Kosova është gati të ecë përpara “me përkushtim, me reforma të suksesshme dhe me besim të palëkundur në të ardhmen evropiane”.
“Kënaqësi e veçantë ta mirëpres sërish sot në Republikën e Kosovës Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Së bashku diskutuam për zbatimin e Planit të Rritjes, për rëndësinë e heqjes së masave të padrejta ndaj vendit tonë, si dhe për hapat tutje në rrugën drejt integrimit tonë në Bashkimin Evropian”.
Osmani shtoi se mbështetja e Komisionit Europian për Kosovën në këtë proces mbetet thelbësore.
Presidentja von der Leyen aktualisht është në takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në një sallë të Kuvendit.