Pa miratimin e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, kandidati i kësaj partie për kryetar të Vushtrrisë ka nënshkruar sot marrëveshje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Firmat e nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit mes Xhafer Tahirit të LDK-së dhe Sylejman Mehollit të VV-së, janë hedhur sot në një ceremoni në qendër të Vushtrrisë.
Prezent në ceremoni ka qenë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Paparaci ka mësuar se Tahiri, i cili doli i treti në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Vushtrri, ka vendosur “krye në vete” për marrëveshjen e koalicionit me VV-në.
“Kërkesat për koalicione shtrohet nga Degët tek Kryesia pas çertifikimit të rezultateve dhe trajtohen me kohë”, thuhet në këtë komunikim, raporton Paparaci.
Informatat për nënshkrimin e koalicionit mes VV-së dhe LDK-së në Vushtrri, kanë qarkulluar që nga mëngjesi i së hënës.
Zyrtari i Vetëvendosjes në Vushtrri, Naim Bunjaku, në një postim në rrjetet sociale të hënën në mëngjes paralajmëroi nënshkrimin e marrëveshjes gjatë ditës.
“Sot nënshkruhet marrëveshja e koalicionit me LDK në prani të kryeministrit Albin Kurti”, shkroi ai, në një postim në Facebook. “Ejani të jeni prezent dhe dëshmitarë të kësaj ngjarje që na e siguron fitoren në Vushtrri”.
Në balotazh, Vetëvendosje që mori rreth 30% të votave në raundin e parë do të përballet me Ferit Idrizin, kryetarin aktual e kandidatin e PDK-së edhe për një mandat të ri, i cili siguroi rreth 45% të votave, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së.
Xhafer Tahiri doli i treti, tregojnë rezultatet preliminare, me 19% të votave në raundin e parë. /Paparaci.com/