Paolo Maldini dhe biri i tij infektohen me koronavirus

Drejtori i Milanit, Paolo Maldini, dhe i biri i tij, Daniel, kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus. Lajmin e ka konfirmuar klubi kuqezi përmes një postimi në faqen zyrtare.

Paolo Maldini është 51-vjeçar dhe ai cilësohet si legjendë e Milanit për arritjet e tij gjatë karrierës me kuqezinjtë si mbrojtës, përderisa në San Siro u kthye sërish në vitin 2018 si drejtor teknik.

Ndërsa, Danieli është 18-vjeçar dhe muajin e kaluar ai u bë gjeneratë e tretë e familjes Maldini që luan me fanellën e Milanit në Serie A.

“Milani e konfirmon se drejtori teknik i klubit, Paolo Maldini, kishte kontakt me një person që doli pozitiv në testin për koronavirus dhe më vonë i pati edhe vetë disa simptoma të virusit”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Milani.

“Ai e bëri testin dje, ndërsa rezultati ka dalë pozitiv. Djali i tij, Danieli, që është sulmues në ekipin e të rinjve në Milan e më parë ishte stërvitur edhe me ekipin e parë, gjithashtu doli pozitiv në këtë test”.

“Paolo dhe Danieli të dy kanë qenë të vetizoluar në shtëpi që dy javë dhe s’kanë pasur kontakt me persona të tjerë. Ata tani do të mbeten në karantinë deri sa të shërohen plotësisht, siç propozohet nga autoritete shëndetësore”.

Maldini dhe djali i tij janë të parët nga skuadra dhe stafi i Milanit që infektohen me koronavirus, përderisa Paulo Dybala u bë sot lojtari i tretë i Juventusit që del pozitiv në testin për virusin. /Gazeta Express/