Paralajmërohet një numër i madh fluturimesh nga Aeroporti gjatë janarit

Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, kanë treguar se në janar do të ketë numër të madh të fluturimeve, e rrjedhimisht do të ketë edhe numër më të madh të udhëtarëve. 

Në këtë rritje të numrit të fluturimeve duket se ka ndikuar edhe liberalizimi i vizave që do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2024.

Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, në një deklaratë për Telegrafin tha se pothuajse çdo vit shënohet një rritje e numrit të fluturimeve.

“Në çdo vit kemi një trend të rritje së numrit të fluturimeve, prandaj nëse e krahasojmë janarin e vitit 2023 me atë të 2022 kemi pasur 21.43% më shumë udhëtarë në vitin 2023. Po ashtu edhe numri i fluturimeve ka qenë në rritje. Sa i përket parashikimeve për muajin janar, do të kemi rritje si në numër fluturimesh, po ashtu edhe në numër udhëtarësh, sepse jemi në kohën e festave dhe po ashtu do të mund të udhëtojmë pa viza”, u shpreh ajo.