Partitë politike shfaqin optimizëm për vendin e parë, synojnë udhëheqjen e Qeverisë së ardhshme

Me afrimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, skena politike në Kosovë është karakterizuar nga rritja e intensitetit të fushatës dhe deklaratave publike nga subjektet kryesore politike. Përfaqësues të partive parlamentare po paraqesin pritshmëritë e tyre për rezultatin zgjedhor, duke u fokusuar në rritjen e mbështetjes qytetare, mobilizimin e strukturave partiake dhe mundësinë e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve.

Deklarimet e fundit pasqyrojnë bindjen e subjekteve politike se zgjedhjet e 28 dhjetorit do të sjellin ndryshime të rëndësishme në konfigurimin politik të vendit. Ato po shihen si një test për punën e deritanishme të qeverisë aktuale, por edhe si një mundësi për opozitën që të rikthehet në udhëheqje. Në këtë kontekst, çështje si stabiliteti politik, zhvillimi ekonomik, siguria dhe qeverisja efektive po renditen ndër temat kryesore të diskursit parazgjedhor.

Ndërsa partitë shprehin optimizëm për rezultatin, theksi po vihet edhe te procesi paszgjedhor, ku formimi i qeverisë së re pritet të varet nga numrat në Kuvend dhe nga marrëveshjet eventuale politike. Zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm institucional të Kosovës dhe raportet e reja të forcave politike në vend.

Thaçi: LVV-ja do t’i fitoj mbi 55 për qind në zgjedhjet e 28 dhjetorit, e kemi çliruar veriun dhe forcuar Ushtrinë

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, për FrontOnline, ka shprehur pritshmëritë e tij për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke deklaruar se LVV pret një rezultat të lartë, mbi 55 për qind.

Sipas Thaçit, rezultati zgjedhor do të reflektojë punën e bërë nga LVV gjatë mandatit qeverisës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe forcimit të institucioneve.

 “LVV do të dalë ashtu siç e ka bërë punën e vet, e ka çliruar veriun, e ka forcuar ushtrinë dhe rezultati do të jetë mbi 55 për qind, minimumi”, ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar se rritja e mbështetjes për LVV-në shihet edhe në zgjerimin e pranisë së saj në nivel lokal.

“Kjo nënkupton se kur në vitin 2021 kemi marrë katër komuna, tash kemi shtatë komuna dhe në balotazh kemi qenë në 12 komuna”, është shprehur Thaçi për FrontOnline.

Duke u ndalur te zgjedhjet e fundit, ai ka vlerësuar se rezultati i shkurtit të vitit 2025 nuk ka reflektuar potencialin e plotë të partisë.

“Në shkurt të vitit 2025 s’kemi arritur 50 për qind për shkak se strukturat kanë qenë më të relaksuara dhe tash janë mobilizuar”, ka deklaruar Thaçi, duke shprehur bindjen se mobilizimi aktual do të sjellë rezultat më të lartë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Pajaziti: PDK-ja pret rritje dhe synon udhëheqjen e Qeverisë së ardhshme me partitë e ish-opozitës

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, për FrontOnline  ka shprehur pritshmëritë e partisë për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke deklaruar se PDK pret rritje të mbështetjes dhe synon të udhëheqë Qeverinë e ardhshme.

Sipas Pajazitit, rezultati zgjedhor do të reflektojë ndryshimin e vullnetit të qytetarëve dhe orientimin e tyre drejt ish-opozitës.

“Ne presim me pas një rritje dhe presim me e udhëheq qeverinë e ardhshme. Jam i sigurt që kemi me pas udhëheqjen e ardhshme të qeverisë, bashkë me pjesën tjetër të ish-opozitës”, ka deklaruar ai për FrontOnline.

Ai ka theksuar se, sipas vlerësimeve të PDK-së, mbështetja qytetare nuk po shkon në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje. “Vullneti i qytetarëve po shkon në atë drejtim dhe jo me LVV-në”, ka shtuar Pajaziti.

 Imri Ahmeti: LDK-ja pret rritje dhe synon formimin e Qeverisë pas 28 dhjetorit

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Imri Ahmeti, për FrontOnline  ka shprehur pritshmëritë e partisë për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar se LDK pret një rezultat pozitiv dhe rritje të mjaftueshme për të ndërtuar institucionet e reja.

Ahmeti ka deklaruar se beson se rezultati zgjedhor do t’i krijojë LDK-së mundësinë për të marrë përgjegjësinë e qeverisjes.

“Ne presim rezultat pozitiv dhe mendoj se do të kemi rritje të mjaftueshme, e që do të na mundësojë ndërtimin e institucioneve”, ka thënë ai për FrontOnline.

Duke folur për procesin paszgjedhor, sekretari i LDK-së ka theksuar se partia e tij nuk ka qenë kundër formimit të Qeverisë dhe synon të udhëheqë ekzekutivin e ardhshëm, në varësi të rezultateve përfundimtare.

 “Natyrisht që LDK s’ka qenë kundër formimit të Qeverisë dhe presim që me rezultatin e fundit, LDK të formojë qeverinë e re, por t’i presim numrat fillimisht”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka shtuar se LDK do të veprojë në përputhje me vullnetin e qytetarëve dhe konfigurimin e Kuvendit që do të dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

 Muharremaj: AAK-ja synon rezultat më të mirë më 28 dhjetor, s’kemi vija të kuqe për askënd

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bali Muharremaj, për FrontOnline ka shprehur pritshmëritë e partisë për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar se AAK-ja pret një rezultat dukshëm më të mirë krahasuar me zgjedhjet e fundit.

Sipas Muharremajt, partia hyn në këtë garë më e përgatitur dhe më e organizuar, me një listë kandidatësh që, sipas tij, është më e mira deri më tani.

“Pretendojmë të dalim shumë më mirë se herën e kaluar. Jemi më të organizuar, kemi listën më të mirë dhe rezultati do të jetë shumë më i mirë se në zgjedhjet e fundit”, ka deklaruar ai për FrontOnline.

Duke folur për fazën paszgjedhore, Muharremaj ka theksuar se synimi kryesor i AAK-së është pjesëmarrja në krijimin e Qeverisë, me fokus zhvillimin ekonomik dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve.

 “Synimet tona janë me u ulë me bërë Qeverinë për të mirën e gjithë qytetarëve dhe me pas zhvillim ekonomik”, është shprehur ai.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se AAK aktualisht nuk ka vendosur vija të kuqe për bashkëpunim politik.

 “Momentalisht s’kemi vija të kuqe për asnjë subjekt politik shqiptar”, ka deklaruar Muharremaj, duke lënë të hapur mundësinë e koalicioneve pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. /Front Online/