Sot do të vazhdojë procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë me dëshminë e radhës nga ana e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.
Kësaj radhe do të dëshmojë një shtetas britanik, i treti në listën e dëshmitarëve të propozuar nga ekipi mbrojtës.
Kjo dëshmi vjen pas paraqitjes së James Rubin dhe Paul Williams javën e kaluar, të cilët dhanë deklaratat e tyre në mbështetje të qëndrimeve të mbrojtjes.
Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit dha një pasqyrë të rolit ndërkombëtar gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se Thaçi në nuk kishte pasur autoritet për të vendosur për veprime brenda UÇK-së, dhe se akuzat ndaj tij dhe të tjerëve janë të pabaza.
Ndërsa Paul Williams i cili shërbeu si këshilltar ligjor për delegacionin kosovar në Rambuje, u përqendrua në aspektet ligjore të ndërhyrjes dhe formimit të institucioneve të përkohshme në Kosovë pas luftës, si dhe konfirmoi atë që tha ish-zyrtari amerikan Rubin sa i përket autoritetit të Hashim Thaçit mbi negociatat për marrëveshje në Rambuje.
Seanca sot pritet të nisë në orën 09:00 dhe është pjesë e procesit ku mbrojtja ka paraparë të paraqesë gjithsej 11 dëshmitarë gjatë javëve në vijim.
Këta dëshmitarë synohet të hedhin dritë mbi rolin e Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij gjatë dhe pas luftës në Kosovë, duke kundërshtuar akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale.
DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /Telegrafi/