PDK e dërgon në Gjykatë Kushtetuese Projektligjin për Investime të Qëndrueshme

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Investime të Qëndrueshme.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar deputeti i kësaj partie, Ferat Shala.

“Brenda afatit ligjor kushtetues e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese këtë ligj, i cili sikundër shumë vendime të tjera të kësaj mazhorance janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Shala.

Telegrafi mëson se PDK-ja këtë projektligj e ka dërguar në Kushtetuese në fund të muajit tetor.

Ndryshe, edhe pesë ligje të tjera të miratuara nga deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese.

Ligji për Paga në sektorin publik, Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si dhe Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, kanë përfunduar në Kushtetuese pas pretendimeve se janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Së fundmi në këtë institucion nga opozita është dërguar për vlerësimin e kushtetutshmërisë edhe Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Disa prej ligjeve ka muaj që janë duke u shqyrtuar në Kushtetuese e sipas zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, këto janë vonesa të tejzgjatura dhe të paarsyeshme.

Ai ka thënë se ky është cenim i drejtpërdrejt i demokracisë përfaqësuese dhe i funksionit kushtetues legjislativ i Gjykatës Kushtetuese.

“Jo pa shkak, në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese janë vendosur afate nga Kuvendi i Kosovës se kur duhet të përfundojë vlerësimi i kushtetutshmërisë së një akti të miratuar në Kuvendin e Kosovës. Pra, krejt kjo është bërë për të moscenuar organizimin, funksionet dhe kompetencat kushtetuese të Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Sallahu në Facebook.

E numri i ligjeve të Kuvendit që janë dërguar nga opozita për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese është më i lartë në këtë legjislaturë, në raport me legjislaturat paraprake, sipas Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Në një prononcim për Telegrafin, ai ka deklaruar se përderisa kjo është mundësi kushtetuese që i takon deputetëve, në vetvete inicimi i ligjeve në Gjykatë nuk mund të konsiderohet si diçka negative.

Për dërgimin e ligjeve nga opozita në Kushtetuese është deklaruar edhe kryeministri Albin Kurti, në një nga mbledhjet e Qeverisë.

Para kabinetit qeveritar, ai ka thënë me këto veprime opozita po i pengon reformat në fusha të caktuara.