Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë se paraqitja e fjalëve përfundimtare në Dhomat e Specializuara në Hagë nga katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ishte dinjitoze dhe e mbështetur në të vërtetën e luftës së popullit për liri.
Përmes një njoftimi, PDK tha se ish-krerët e UÇK-së folën me përgjegjësi, me respekt për procesin dhe me besim në drejtësi, duke dëshmuar se përballja me drejtësinë nuk është shmangie nga historia, por pjesë e saj.
“Në këtë fazë vendimtare, Partia Demokratike e Kosovës shpreh pritjen dhe kërkesën e saj që vendimi të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova, larg çdo narrative apo perceptimi politik. Lufta e popullit të Kosovës për liri ishte një luftë e drejtë, çlirimtare dhe e domosdoshme për mbijetesë përballë një regjimi shtypës. Kjo është një e vërtetë historike e njohur nga qytetarët tanë dhe e konfirmuar nga rrjedha e zhvillimeve ndërkombëtare që çuan në ndërhyrjen e NATO-s dhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Partia të cilën e udhëhoqi ish-presidenti, thotë se beson në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe presin që pa zvarritje dhe mbi bazën ekskluzive të fakteve e provave, të merret një vendim i drejtë dhe i paanshëm, i cili do të konfirmojë lirimin e plotë nga të gjitha pikat e aktakuzës.
“Partia Demokratike e Kosovës rithekson solidaritetin me familjet e ish-krerëve të UÇK-së, falënderon të gjithë qytetarët për mbështetjen e madhe të dëshmuar përmes marshimeve dhe protestave, si dhe shpreh mirënjohje për profesionalizmin dhe hapësirën e ofruar nga mediat gjatë gjithë kësaj periudhe”.