Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të procedohet sa më parë për votim në Kuvend.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të mos e zvarrisë këtë proces.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të nisë pa vonesë procedurat për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Qeveria e Kosovës nuk duhet të guxojë ta zvarrisë këtë proces. Ndërsa institucionet e Republikës duhet të garantojnë mbështetje të plotë institucionale dhe financiare për ekipet mbrojtëse”, tha ai.
Tahiri u ka bërë thirrje të gjitha partive politike për maturi politike, përgjegjësi dhe kontribut konkret, sepse UÇK është e të gjithëve.
“Ne, si përfaqësues të popullit, thjesht po e përcjellim kërkesën e qytetarëve. Ata burra që dhanë kontributin e tyre që ne të jetojmë të lirë, duhet të jenë sa më shpejt të lirë dhe të dëshmohet e vërteta për luftën tonë çlirimtare. Nuk do të ndalemi. Si Grup Parlamentar dhe si Parti, do të bëjmë më të mirën për të kontribuar në këtë proces”, shtoi ai.
Ndërsa, deputeti Përparim Gruda tha se ndryshimet e propozuara në këtë ligj nuk prishin asnjë detyrim që Kosova ka marrë, me amandamentet kushtetuese dhe me marrëveshjen e ratifikuar me BE.
“Gjykata Speciale është themeluar me qëllimin për të hetuar trafikimin e organeve. Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve dhe aktgjykimi në shkallë të parë, ka vërtetuar që ata, të katërtit nuk kanë lidhje me trafikim organesh. Duke qenë se ata akuzohen përtej kësaj, ne mendojmë që është e mundur që në shkallë të tretë përmes këtij ligji të garantohet një gjykim në Kosovë, sepse nuk mund të kemi dy sisteme paralele juridike”, theksoi ai.
Gruda duke kërkuar nga Qeveria që sa më shpejtë të japë ta dërgojë Ligjin në Kuvend për miratim në një rrethanë kur Kuvendi mund të shpërndahet më 6 tetor, tha se vullneti politik i një populli nuk i nënshtrohet diktatit të askujt.
“Ligji është hartuar me një ekspertizë të lartë të njerëzve që kanë punuar në PDK, jashtë PDK-së. Kjo nuk do të thotë që nuk jemi të hapur të dëgjojmë opinione tjera për ta përmirësuar cilësinë e ligjit. Asnjë zyrë administrative e qeverisë dhe asnjë zyrë tjetër kudo qoftë brenda institucioneve të Kosovës, nuk ka të drejtë të mbajë peng vullnetin e popullit të Kosovës dhe të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për të miratuar një ligj që mbron historinë e Kosovës. Ky nuk është ligj i PDK-së”, theksoi ai.