Peci: Do të jemi sërish në veri për të vendosur rend dhe ligj

Kandidati për deputet nga Lista Vjosa, Faton Peci, ka thënë se vizita që patën sot në veri të Mitrovicës ka përfunduar me sukses, pavarësisht brohoritmave fyese nga një grup serbësh.

Ai ka thënë se deklarata e PDK-së në lidhje me këtë vizitë të tyre atje është në linjë me atë të Listës Serbe derisa fajësoi këtë parti dhe të tjera që kanë qeverisur me vendin se kanë dështuar që të vendosin rendin në atë pjesë të vendit.

“Reagimi i PDK-së, pos që është në linjë me atë të Listës Serbe, është po ashtu pranim i dështimit për mos ushtrim të autoritetit të të gjitha qeverive të saj, prej 20-vjetësh në veri të vendit”.

“Me këtë reagim, ata dëshmuan paaftësinë e tyre për ta qeverisur atë pjesë, sikurse dëshmuan edhe për pjesën tjetër të Kosovës. Madje, ky subjekt nëpërmjet njeriut të vet, ish-presidentit Thaçi le që dështoi të vendosë autoritet në këtë pjesë, por e vuri tërësinë territoriale të Kosovës në pazar”.

Peci ka paralajmëruar edhe vizita të tjera në veri të vendit duke thënë se do të shkojnë atje edhe për të vendosur sundimin e ligjit.

“Ne mbaruam vizitën tonë me sukses të plotë në veri të vendit. Reagimet për vizitën nuk e zhbëjnë atë. Ne jo vetëm që ishim, por do të jemi sërish atje. Jo për të bërë fushatë, por për të vendosur sundimin e rendit dhe të ligjit, të cilin PDK dhe satelitët e saj nuk arritën ta bëjnë prej dy dekadash!”.