Për 12 ditë, 88 denoncime për punëdhënësit falë aplikacionit të ATK-së

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se për 12 ditë, qëkur ka plasuar aplikacionin përmes të cilit punëtorët mund të konfirmojnë në çast nëse janë të regjistruar, janë bërë 88 denoncime.

Aplikacioni, ku me futjen e numrit personal, dalin të gjitha të dhënat, është lansuar më 30 dhjetor 2021.

“Për vetëm 12 ditë janë raportuar 88 raste denoncuese, përmes aplikacionit elektronik për verifikimin e punëtorëve, nëse janë të deklaruar/regjistruar nga punëdhënësit e tyre. Bazuar në projektin për formalizimin e punësimit ndër arsyet kryesore që kanë kontribuar që punësimi joformal të trajtohet si i tillë janë nën-deklarimi i pagave, pagesa e pagave në dorë, të punësuarit pa kontrata pune, etj. Të gjitha pikat e përmendura janë evidentuar edhe në raportet dhe anketat e bëra nga Banka Botërore, raportet e financuara nga Bashkimi Evropian, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Akademia e Shkencave të Kosovës, Njësia e Inteligjencës Financiare, si dhe nga Institucionet tjera, dhe të gjeturat nga ATK në terren”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

ATK-ja ka ftuar të gjithë punëtorët që t’i bashkohen fushatës së saj, duke shfrytëzuar këtë aplikacion.

“Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë që t’i ulim statistikat e punëtorëve të pa formalizuar, duke mundësuar realizimin e të drejtës tuaj për një të ardhme me një pensionim të sigurte”, thuhet në njoftim.