Përfitimet shëndetësore nga pirja e çajit

Për adhuruesit e tij, çdo kohë është perfekte për një filxhan çaj. Por për shumë të tjerë, kohët e ftohta dhe çaji janë shokë të pandashëm.
Nga gjethet e përpunuara të bimës Camellia sinensis, çaji vjen në lloje të ndryshme, duke përfshirë çajin e zi (fermentuar), çajin e gjelbër (jo të fermentuar), dhe çajin oolong (gjysmë të fermentuar).
Këto lloje ndryshojnë në proceset e tharjes dhe fermentimit që i japin përbërje kimike të dallueshme çajit.

Studimet zbulojnë se çaji i gjelbër ndihmon në parandalimin e kancerit dhe ka dëshmi në rritje se nga çaji i zi, gjithashtu, mund të ketë përfitime të ngjashme.
Ekspertët shëndetësorë tregojnë se pirja e çajit ndihmon në parandalimin e shumë sëmundjeve të tjera serioze si problemet e zemrës dhe çështjet me metabolizmin. Substanca si polifenolët, të cilët janë të pranishme si në çajin e gjelbër ashtu edhe në atë të zi, kanë lidhshmëri me efektet anti-plakje dhe anti-diabetike, ndër të tjera përfitime shëndetësore, shkruan Moneycontrol.

Menaxhimi i peshës: Çaji, kryesisht ai i gjelbër, lidhet me përfitimet e mundshme të menaxhimit të peshës. Përmban komponime të quajtura katekinë, të cilat besohet se rrisin metabolizmin dhe nxisin oksidimin e yndyrës. Pirja e çajit të gjelbër, së bashku me një dietë të ekuilibruar dhe një mënyrë jetese aktive, mund të jetë e dobishme në një plan të humbjes së peshës.

Dieta me pak kalori: Çaji është një opsion i shkëlqyer nëse jeni në kërkim të një diete me pak kalori. Ndryshe nga disa pije të tjera, çaji ka pak kalori, duke e bërë atë një zgjedhje për të qëndruar të hidratuar. Është gjithmonë më mirë të zëvendësoni pijet kalorike me çaj, pasi mund të ulë në mënyrë efektive konsumin tuaj të përgjithshëm të kalorive.
Megjithatë, është e rëndësishme të shtoni fruta, perime, drithëra të plota, proteina dhe yndyrna të shëndetshme për të kontribuar në shëndetin tuaj të përgjithshëm.

Kolesteroli dhe niveli i sheqerit në gjak: Çaji i zi përmban substanca si “theaflavins” dhe “thearubigins”, të cilat veprojnë si antioksidantë dhe sigurojnë përfitime shëndetësore. Pirja e çajit të zi mund të ketë efekte pozitive në nivelin e kolesterolit dhe sheqerit në gjak. Hulumtimet kanë treguar se këto komponime ndihmojnë në pakësimin e nivelit të lartë të kolesterolit, një gjendje e njohur si hiperkolesterolemia. Përveç kësaj, “theaflavins” dhe “thearubigins”, gjithashtu mund të kontribuojë në uljen e nivelit të lartë të sheqerit në gjak, i njohur si hyperglycemia. Konsumimi i çajit të zi ju ndihmon të ruani shëndetin.

Sëmundjet e zemrës: Provat që mbështesin efektet mbrojtëse të konsumit të çajit kundër sëmundjeve kardiovaskulare janë në rritje. Shkencëtarët kanë vërejtur se konsumi i përditshëm i çajit, veçanërisht çaji jeshil dhe i zi, lidhet me një ulje të rrezikut të sëmundjeve të zemrës. Prania e antioksidantëve dhe flavonoideve në çaj mund të mbrojë nga problemet kardiovaskulare duke rritur funksionin e enëve të gjakut, duke reduktuar inflamacionin dhe duke ulur nivelet e kolesterolit.

Efekti anti-inflamator: Hulumtimet sugjerojnë se çaji dhe përbërësit e tij kanë efekte të forta anti-inflamatore. Përveç kësaj, çaji ka treguar edhe efekte të dobishme në qelizat inflamatore. Sipas një artikulli të botuar në Institutin Kombëtar të Shëndetit, inflamacioni ka ndikim në shfaqjen e sëmundjes “atherosclerosis”, e cila mund të çojë në infarkte dhe goditje në tru.

Sëmundjet neurodegjenerative: Disa studime sugjerojnë se komponimet bioaktive si “katekinat” dhe “L-theanina” që gjenden në çaj ndihmojnë në përmirësimin e funksionit kognitiv dhe ulin rrezikun e rënies kognitive dhe sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimer’s dhe Parkinsoni.

Diabeti: Diabeti i tipit 2 mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Rezistenca ndaj insulinës luan një rol kyç në zhvillimin e diabetit të tipit 2 dhe studimet kanë treguar se polifenolët e pranishëm në çaj mund të përmirësojnë potencialisht ndjeshmërinë e insulinës.