Kryeministri në detyrë Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, zëvendësministrat Hysen Durmishi dhe Jeton Raka, dhe deputetët e Kuvendit Arbër Rexhaj e Artan Abrashi, përuruan sot urën në Rogovë të Hasit.
Me këtë rast, kryeministri Kurti falënderoi banorët e Rogovës për mikpritjen e përzemërt dhe i uroi për urën mbi lumin Drin me gjatësi të gjithmbarshme rreth 134 metra, që e lidh zonën e Hasit me rrugën Gjakovë-Prizren.

“Në fund të vitit 2023 është nënshkruar kontrata, në prill të vitit 2024 kanë filluar punimet dhe falënderojmë operatorin ekonomik që ka përfunduar gjithçka brenda një viti. Dhe ja ku jemi tash në prill të vitit 2025, po e lëshojmë në përdorim këtë urë e cila e ka gjerësinë 10 metra, prej tyre 6.5 metra është për automjete, e 3.5 metra nga 1.75 metra në të dy anët, është për këmbësore”, deklaroi kryeministri.
Këtë urë kaq të vonuar, kryeministri Kurti e cilësoi lajm të mirë për të gjithë banorët e Rogovës dhe ata të cilët e vizitojnë.
Në fund, falënderime dhe mirënjohje shprehu si për operatorin ekonomik i cili ka arritur të përfundoj punimet brenda një viti, ashtu edhe për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe gjithë qytetarët.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, u shpreh se Ministria ka qenë vazhdimisht në përcjellje të këtyre punimeve dhe realizimi i tyre është jashtëzakonisht një arritje e rëndësishme pasi jo vetëm Rogova, por e gjitha zona e Hasit, është e lidhur me rrugën Gjakovë – Prizren.
Siç tha zëvendëministri Hysen Durmishi, ka pasur shqetësime dhe kërkesa të vazhdueshme të banorëve për rregullimin e kësaj ure, e cila për disa vite ka qenë në përgjegjësi dhe buxhet të Komunës, andaj si Ministri, ai tha se janë detyruar që ta marrin përsipër ndërtimin e kësaj ure e cila u finalizua dhe u përurua sot.
Vlera e këtij projekti ka qenë 989 mijë euro dhe ka qenë kërkesë e kahmotshme e banorëve të Hasit dhe zonave përreth.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Jemi këtu bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliun, edhe me zëvendësministrat Hysen Durmishin dhe Jeton Rakën, jemi edhe me deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbër Rexhajn e Artan Abrashin, por edhe me kolegë nga Ministria, Kryeministria, dhe para së gjithash e mbi të gjitha me banorë të Rogovës.
Ju faleminderit shumë për këtë mikpritje kaq të përzemërt dhe urime të gjithëve kjo urë mbi lumin Drin, që e lidh zonën e Hasit me rrugën Gjakovë-Prizren. E gëzofshi!
Në fund të vitit 2023 është nënshkruar kontrata, në prill të vitit 2024 kanë filluar punimet dhe falënderojmë operatorin ekonomik që ka përfunduar gjithçka brenda një viti. Dhe ja ku jemi tash në prill të vitit 2025, po e lëshojmë në përdorim këtë urë e cila e ka gjerësinë 10 metra, prej tyre 6.5 metra është për automjete, e 3.5 metra nga 1.75 metra në të dy anët, është për këmbësore.
Pra, njëfarë mënyre, përafërsisht dy të tretat janë për automjete, një e treta është për këmbësorë. Gjatësia e gjithmbarshme është rreth 134 metra dhe besoj që kjo urë, kaq shumë e vonuar, më në fund u realizua dhe është lajm i mirë edhe për juve, edhe për të gjithë ata të cilët do të shkojnë e vijnë në Rogovë.
Faleminderit ministrisë dhe gjithë qytetarëve.