Plani i Kurtit për ta mandatuar Konjufcën, opozita e sheh vetëm si manovër për zvarritje, a do të bindet Presidentja

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ia lëshoi vendin e tij Glauk Konjufcës për t’u bërë kryeministër ndërsa tha se do t’ia zë atij pozitën e kryediplomatit. Kurti e propozoi Konjufcën si mandatar të dytë derisa votimi i partisë s’u transmetua drejtpërdrejt nga Lëvizja Vetëvendosje. Ngjarjet në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes s’shpëtuan pa u komentuar nga partitë tjera duke e quajtur manovër të Kurtit për zvarritje. Ato presin se si do të reagojë Presidentja.

Në mes të një shpërthimi lëvdatash për të dytin e partisë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm e propozoi Glauk Konjufcën si mandatar të dytë për formimin e qeverisë edhe pa i siguruar votat e nevojshme nga partitë e tjera.

Votimi i Këshillit të Përgjithshëm s’u transmetua nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ishte ‘live’ në Facebook derisa i erdh rendi kësaj pike.

Përballë këtyre zhvillimeve në partinë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit s’qëndruan të heshtura partitë tjera që janë në pritje të lëvizjes së presidentes Vjosa Osmani nëse do të mandatojë Konjufcën ose jo në mungesë të dëshmisë se i kanë votat në Parlament.

Lëvizjet e VV-së po i shohin si zvarritje për blerje të kohës meqë pritet që pa një marrëveshje edhe Konjufca do të dështojë sikurse Kurti për t’u bërë kryeministër.

Partia e dytë, PDK, reagoi përmes një komunikate duke thënë se vendi ndodhet përpara një momenti vendimtar politik dhe institucional, që kërkon vendime të qarta, të përgjegjshme dhe në përputhje me realitetin politik në Kuvendin e Kosovës.

‘Në një situatë ku është e qartë se shumica shqiptare në Kuvend, së bashku me disa deputetë të komuniteteve joshumicë joserbe, kanë shprehur qëndrimin e prerë se nuk kanë votë për një mandatar tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, çdo tentativë për t’ia dhënë sërish mandatin kësaj partie do të përbënte humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të mungesës së besimit në institucione. Ashtu siç dështoi Albin Kurti për të siguruar shumicën, do të dështojë çdo përpjekje tjetër për ta zgjatur artificialisht këtë proces nga Lëvizja Vetëvendosje. Realiteti politik është i qartë: askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë”, tha kjo parti.

PDK tha se zgjidhja e vetme reale në këtë krizë institucionale është mbajtja e zgjedhjeve.

Ndërkaq, nga LDK reagoi vetë kryetari Lumir Abdixhiku, që tha se kjo “shfaqje teatrale, e mandatarëve pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik”, duhet të marrë fund.

“Shiqoni qytetarët në sy e tregojuni se nuk ka shumicë. Tregojuni qytetarëve se secila parti shqiptare, ka dhënë verdiktin politik, të deponuar tashmë në Presidencë. Ky verdikt është i qartë e është i thjeshtë. Sot, matematikisht, me vullnetin e deklaruar politik, nuk ka mundësi për shumicë”, tha Abdixhiku.

Këto zvarritje, Abdixhiku tha se janë veç thellime të krizave, për të cilat do të mbahet përgjegjësi politike.

Ai më pas shprehi pritshmëritë për reagimin e presidentes së vendit karshi lëvizjeve të Vetëvendosjes.

“Dua të besoj se Presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare. Ky vullnet i është deponuar Presidentes javën që shkoj, haptazi dhe qartë. Dua të besoj, se Presidentja do të deklarojë gjënë më të thjeshtë e më logjike sot: fatkeqësisht, në këtë Kuvend, nuk ka shumicë parlamentare dhe asnjë mbledhje e asnjë partie nuk ndryshon këtë fakt politik”.

Ngjashëm si Abixhiku reagoi edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se Osmani s’ka mandat për të mandatuar një kandidat që s’e ka shumicën.

“Afati kushtetues për votimin e qeverisë përfundon nesër dhe presidentja e vendit nuk ka mandat ta mandatojë askënd për krijimin e qeverisë, pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme. Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve. Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga VV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike”.

Haradinaj tha se kjo “farsë” duhet të marrë fund menjëherë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. /Gazeta Express/